RTSH Sport Live

Bylisi, “leksion” Partizanit

  • 07/08/2022
  • |
  • Abissnet Superiore
Bylisi, “leksion” Partizanit
Takimi i luajtur në Stadiumin e Pogradecit erdhi drejtpërdrejt në RTSH Sport

Në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri të Kategorisë Superiore, skuadrat kanë rritur ritmin e stërvitjes, duke programuar edhe zhvillimin e disa ndeshjeve miqësore. Një e tillë ka qenë edhe përballja e zhvilluar të dielën, ku Partizani është ndeshur me Bylisin. Miqësorja e zhvilluar në Stadiumin “Gjorgji Kyçyku” të Pogradecit dhe e sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport, ka vënë përballë të kuqtë kryeqytetas, që e mbyllën sezonin e shkuar në vendin e vendin e 3-të të renditjes, me ballshiotët, që u rikthyen menjëherë në nivelin më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, në Kategorinë Superiore, pasi mbizotëruan në Kategorinë e Parë sezonin e kaluar.

Pjesa e parë e sfidës ka qenë kryesisht e barazpeshuar me shumë pak raste shënimi për të dyja skuadrat. Ndërkohë, në pjesën e dytë janë ballshiotët që tregohen më konkret duke shënuar tri herë në portën e të kuqve. Fillimisht është Kamara 56’ që pas një krosimi nga e majta e sulmit e ka dërguar topin në rrjetë. Në minutën e 74-ët është Marin Abazaj që konkretizon këmbënguljen e skuadrës së tij duke firmosur për 2-0. Kaçorri në minutën e 88-të ka mbyllur të gjitha llogaritë dhe Bylisi arrin të fitojë 3-0 në këtë miqësore.