RTSH Sport Live

Cancelo zbulon: I uruan vdekjen vajzës sime të palindur, bota është mizore

  • 20/04/2024
  • |
  • Futboll Bota
Cancelo zbulon: I uruan vdekjen vajzës sime të palindur, bota është mizore
“Le të më kritikojnë mua si një lojtar, siç bëri Ferdinand, është mirë, por ata nuk duhet të prekin familjen time”

Humbja ndaj Paris Saint-Germain dhe eliminimi nga Liga e Kampionëve po sjell pasoja serioze në të gjitha nivelet për Barcelonën. Tifozët nuk janë të lumtur por si gjithmonë është dikush që e tepron. Joao Cancelo thuhet se ka marrë kërcënime për shkak të paraqitjes së tij ndaj skuadrës së Luis Enrique.

Reprezentuesi portugez ishte ndër më të dobët në ndeshjen e dytë të çerekfinaleve dhe nuk mundi të ndalonte Ousmane Dembélé, i cili shënoi golin e momentit 1-1 dhe fitoi penalltinë për 3-1 falë një faulli të shkaktuar pikërisht nga ish-mbrojtësi i Juventusit dhe Interit. Për këtë arsye, Cancelo mori jo vetëm komente nënçmuese dhe ofenduese, por edhe kërcënime: "Më thanë gjithçka. Ka komente në Instagram që i urojnë vdekjen vajzës sime të palindur", tha lojtari për ESPN.

Cancelo më pas foli për dhunën që ekziston në futboll dhe në shoqëri në përgjithësi: "Ata ofendojnë gruan time, vajzën time të palindur, fëmijën tim. Sot bota është mizore dhe ne duhet të dimë si të jetojmë me këtë. Le të më kritikojnë mua si një lojtar, siç bëri Ferdinand, është mirë, por ata nuk duhet të prekin familjen time, ata le të flasin për mua si lojtar, jo si person”.