Manchester City është një hap larg ‘tripletës’, pasi ka fituar Premier League dhe FA Cup. Pep Guardiola nuk fshihet dhe pranon se Haaland dhe shokët e tij nuk mund të dështojnë të shtunën në Stamboll kundër Interit. “Jam i lumtur që fituam FA Cup, e merituam, por e shtuna e ardhshme do të jetë ndeshja më e rëndësishme në historinë e këtij klubi”, shpjegoi ai pas fitores kundër Manchester United.
“Jemi në një pozicion ku mund të mos jemi më në të ardhmen, ku mund të fitojmë tre trofe. Të gjithë e dimë se çfarë duhet të bëjmë: është e vërtetë, ne kemi fituar Premier League dhe FA Cup dhe tashmë është një sezon i jashtëzakonshëm, por ne kemi nevojë për Champions League për të marrë njohjen që ky klub meriton. E dimë, e kemi pranuar. Kemi fituar shumë deri tani, jemi argëtuar, por ende nuk e kemi fituar atë kupë. Dhe tani duhet ta bëjmë”.
Guardiola tashmë ka fituar dy Champions League në krye të Barcelonës në 2009 dhe 2011, por Interi ngjall kujtime të këqija, duke qenë se në vitin 2010 Barça e tij u eliminua nga djemtë e Mourinhos në gjysmëfinale. Trajneri katalanas, në finalen e tij të dytë në tre vjet, përkëdhel nga afër ëndrrën për t'i dhënë Cityt trofeun më të rëndësishëm. Nëse do të fitonte, Pep do të bëhej i vetmi menaxher në histori që do të fitonte tripletën dy herë, ndërsa Citizens do të ishte skuadra e tetë që do të arrinte këtë sukses.
Përballë, megjithatë, është një Inter në formë të shkëlqyer dhe që do të dëshirojë ta shesë shtrenjtë: skuadra e Inzaghit nis si jofavorite dhe presioni më i madh do të jetë mbi supet e De Bruyne dhe shokëve të tij. Njerëz që kanë shpatulla të gjera dhe janë mësuar të fitojnë, por në 90 minuta historia e futbollit na mëson se gjithçka është e mundur.