RTSH Sport Live

Çmenduri, 600 km me biçikletë për të mbështetur Dortmundin

  • 01/06/2024
  • |
  • UEFA Champions League
Çmenduri, 600 km me biçikletë për të mbështetur Dortmundin
Mes shumë tifozëve që mbërritën në Wembley për finalen, klubi verdhezi mund të llogarisë edhe një të veçantë: Rick Zabel

Në Londër në stadiumin Wembley gjithçka është gati për një nga ndeshjet më të pritura të vitit. Sot është dita e madhe, finalja e Ligës së Kampionëve, luhet mes Real Madridit shumë të favorizuar, gati për të marrë në shtëpi kupën e tij të pesëmbëdhjetë, dhe Borussia Dortmund me një dëshirë të madhe për të tentuar të përmbysë parashikimet dhe të përsërisë fitoren e vetme të Ligës së Kampionëve.

Mes shumë tifozëve që mbërritën në Wembley për finalen, klubi verdhezi gjerman mund të llogarisë edhe një të veçantë: Rick Zabel, i cili pas lamtumirës së fundit me profesionalizmin, mbërriti në Angli me biçikletë duke u nisur direkt nga shtëpia e tij.

30 vjeç dhe bir i një artisti, Rick Zabel u bë profesionist në vitin 2014 (pas dy vitesh në akademinë e Rabobank) dhe në njëmbëdhjetë sezonet e tij në kategorinë e më të mirëve, ai mori pjesë në shumë gara. Më 3 maj, ai tronditi të gjithë me një video sociale duke njoftuar pensionimin e tij, duke falënderuar botën e çiklizmit dhe duke bërë të ditur se kishte shumë plane për të ardhmen. Të dielën e kaluar ai e vuri numrin në shpinë për herë të fundit teksa garonte në Rund um Koln, gara e tij në shtëpi, i përqafuar nga shumë miq dhe shumë fansa, por për Rick Zabel nuk pati as kohë për të mbyllur biçikletën.

Aventura me dy rrota, "Road To Wembley" e pa Rick Zabel protagonist të një udhëtimi 600 km të ndarë në tre faza për të shkuar dhe për të mbështetur Borussia Dortumnd, ekipin e tij të preferuar, së bashku me një mikun e tij, krijues të videove, Norbert Szekly.

Udhëtimi nisi të mërkurën nga Signal Iduna Park, stadiumi i skuadrës verdhezi dhe u dokumentua tërësisht në rrjetet sociale me disa video argëtuese.

Ka qenë vetë Zabeli që ka bërë të ditur projektin: “Po shkoj në Londër për të ndjekur ekipin tim të preferuar, por nuk kam një plan, në fakt plani është realisht të mos kesh një plan”.

Etapa e parë prej 250 km i pa ata të shkonin nga Dortmundi në Antëerp, të enjten arritën në portin e Dunkirk pas 220 km. Më në fund të premten, pas kalimit të Kanalit me traget, ata kaluan me biçikletë 130 km nga Dover në stadiumin Wembley. Gjatë 600 km të planifikuara, Gjermani, Holandë, Belgjikë, Francë dhe së fundi Mbretëria e Bashkuar u vizituan në kushte mjaft të pafavorshme. Rick Zabel pedalonte gjithmonë me buzëqeshje, duke vënë në pah qartë ngjyrat e skuadrës së tij të preferuar, të cilat nuk mungoi t'i shfaqte edhe nëpër rrugët e Londrës.

Aventura e Rick Zabel, përtej brohoritjeve dhe pasionit për futbollin, ka një qëllim tërësisht bamirës. Gjatë udhëtimit treditor dhe deri më 3 qershor, ish-çiklisti po mbledh fonde për Fondacionin Neven Subotic, i cili merret me ndërtimin e puseve, objekteve shëndetësore dhe shkollave në Kenia.

 Objektivi ishte 10,000 €, por falë donacioneve të shumta nga fansat dhe entuziastët, shifra e arritur tashmë është mbi 12,000 € dhe është e destinuar të rritet.

Donacionet e mbledhura vazhdojnë të rriten, ashtu si edhe shikimet e videove që flasin për 3 ditët e udhëtimit të tij midis 5 vendeve dhe rrugëve të pamundura. Tashmë e dimë se në këndin gjerman të stadiumit Wembley do të jetë edhe ish-çiklisti, tashmë një tifoz special që ka mbërritur me biçikletën e tij për të mbështetur ekipin e tij të preferuar.