Trajneri i Dinamos Ilir Daja ka folur për mediat në prag të sfidës së nesërme kundër Bylisit që do të luhet në “Elbasan Arena” në orën 17:00 dhe do të transmetohet në RTSH.
“Po të shikosh pikëzimin e klasifikimit, është shumë i ngjeshur dhe nuk ka diferenca mes ekipit të vendit të parë dhe atij që është në vend të fundit. Këtë e kanë treguar këto javë. Bylisi ka entuziazëm pas fitores në fushën e tij, por edhe ne jemi të detyruar të kthehemi të fitorja.
Nuk kemi mbivlerësuar dhe nuk kemi nënvlerësuar asnjë ekip. Edhe Bylisin do ta respektojmë, por duhet të jemi ne drejtuesit e lojës, që të kthehemi te fitorja.
Kemi mungesat e dy mbrojtësve Hoxha dhe Muzek, të tjerët janë dispozicion. Mund të kemi ndonjë ndryshim në formacionin startues. Aliji ka bërë shumë mirë në pozicionin e qendërmbrojtësit dhe ne mendojmë se nuk kemi pse të ndryshojmë diçka për të provuar një gjë të re.
Ndeshjet në përgjithësi nuk kanë pasur goleada, janë fituar me diferencë të ngushtë golash. Nuk është pjesë vetëm e sulmit kur nuk je rezultativ para portës. Ajo që duhet të bëjmë është t’i çojmë lojtarët tanë sa më afër portës kundërshtare me manovrën e sulmit. Nga filozofia që kemi ne, loja fillon nga poshtë dhe këtu e kemi pasur problemin më të madh se sa realizmin e golave nga sulmi.
Ndeshjet duhet t’i marrë një nga një, siç është një shprehje e përhershme. Nuk ka kohë për të menduar për ndeshjen pasardhëse dhe jemi fokusuar te Bylisi, që nuk është i lehtë. Do të na pëlqente që përveç fitores të bënim edhe një lojë më të mirë se deri tani”, ka thënë mes të tjerash Daja.