RTSH Sport Live

Derbi luftarak, cilësia bën diferencën

  • 29/04/2024
  • |
  • Abissnet Superiore
Derbi luftarak, cilësia bën diferencën
Partizani dominoi pjesën e dytë, Tirana nuk ishte në gjendje t’i përgjigjej presionit

Partizani fitoi derbin kundër Tiranës falë alternativave më të shumta në stol dhe ndryshimeve në pjesën e dytë, kur Rrapaj e Maget dominuan mesfushën. Bardheblutë shfaqën shpirt, por jo cilësi pas pushimit.

Tirana dhe Partizani dhuruan betejë të dielën në mbrëmje në fushën e Arenës Kombëtare, prej nga fitues dolën të kuqtë, duke konsoliduar pozitat brenda katërshes së parë, nga e cila do të dalë skuadra e re kampione. Një ndeshje që nuk pati nivelin më të lartë për sa i përket cilësisë, pavarësisht se si çdo derbi midis këtyre dy skuadrave ishte mjaft i luftuar.

Përcaktues në takim ishin stolat e dy skuadrave, me atë të Partizanit dukshëm superior, çka i lejoi të dominonte lojën në pjesën e dytë, kur bardhebluve iu shteruan forcat. Tirana ishte në gjendje t’i përgjigjej dhëmbë për dhëmb Partizanit në pjesën e parë, duke ekuilibruar shifrat pas disavantazhit dhe luajti futboll agresive, me aksione të shpejta e vertikale.

Por pas pushimit, atëherë kur edhe diferencat fizike dalin në dukje, Tirana pati rënie e vuajti jo pak presionin e ushtruar nga Partizanit. Rrapaj dhe Maget dominuan mesfushën dhe thyen lehtësisht përpjekjet e bardhebluve, duke iu mundësuar të kuqve dalje të shpejta përapra drejt zonës kundërshtare.

Goli i dytë i shënuar në shtesë, edhe pse i vonuar nuk i heq asgjë meritave të Partizanit, ndërkohë që lë Tiranën jashtë katërshes ku pretentonte të ishte që nga fillimi i kampionatit.