Partizani dhe Tirana do të ndeshen të dielën në derbin e tretë të këtij kampionati, por në fushë do të përballen dy skuadra të ndryshme nga herët e tjera. Secila vjen me fytyrë të re pasi ka larguar lojtarë që kanë qenë protagonistë në përballjet e mëparshme.
17 pikë diferencë në renditje nuk e bëjnë favorit Partizanin në derbin e së dielës kundër Tiranës. Jo thjesht se derbi nuk ka favoritë, siç thuhet rëndom në prag të tij, e siç e vërtetojnë edhe dy barazimet pa gola në përballjet e mëparshme të këtij kampionati, por edhe për shkak se ndeshja e radhës do të vërë përballë dy skuadra praktikisht të ndryshme nga herët e shkuara.
Ndeshja e javës së 24-t vjen vetëm pak ditë pas mbylljes së merkatos së dimrit, ku të dy klubet kanë qenë aktivë, megjithatë merkatoja e riparimeve te Partizani më shumë ka lënë një kantier të hapur se sa ka bërë riparime. Nga të kuqtë janë larguar lojtarë të rëndësishëm, si Cara, Rrapaj, Hadroj e Mba dhe ata që kanë ardhur nuk kanë arritur ende t’i zëvendësojnë denjësisht.
Ndryshimi është i qartë, në lojë dhe në rezultate. Partizani ka barazuar në tri ndeshjet e fundit, përfshirë edhe Kupën, dy herë pa gola kundër Laçit, si dhe 1-1 me Dinamon, e në asnjë prej ndeshjeve nuk ka qenë superiore ndaj kundërshtarit. Sigurisht që të kuqtë shpresojnë që ardhjet e merkatos të jenë integruar plotësisht me skuadrën deri në ndeshjet e katërshes finale, kur Partizani tashmë e ka prenotuar një vend.
Largimet nga Tirana kanë qenë më pak të bujshme, ashtu si dhe ardhjet, megjithatë bardheblutë ia kanë dalë të marrin katër pikë në dy ndeshjet e fundit. Forma aktuale e bën derbin pak më pikant për t’u ndjekur, ndërkohë që largimet e afrimet e lojtarëve ngjallin më tepër kuriozitet për të parë fytyrat e reja të secilës prej skuadrave.