RTSH Sport Live

Dinamo, Daja respekton Laçin

  • 03/10/2024
  • |
  • Abissnet Superiore
Dinamo, Daja respekton Laçin
Kthehet Bruno Dita në formacionin blu, tanimë në pozicionin e qendërmbrojtësit

Në ndeshjen e javës së 8-të të “Abissnet Superiore”, që do të nisë nga ora 19:00 dhe Do vijë për shikuesit në ekranin e RTSH, Dinamo e sheh kundërshtar të vështirë Laçin, edhe pse kurbinasit gjenden në vendin e fundit me 3 pikë. Këtë ka theksuar në konferencën për shtyp trajneri i bluve, Ilir Daja, i cili nuk ndihet mirë nga largimi i Armando Cungut nga pankina e kurbinasve. Kthehet Dita në formacionin blu, por tashmë si qendërmbrojtës

“Gabojmë, nëse e gjykojmë ndeshjen nga vendi në klasifikim i Laçit. Pavarësisht se ka marrë pak pikë, ka prodhuar futboll të mirë, kështu që duhet vlerësuar. Po ashtu, dihet historia që vitet e fundit ky ekip ka qenë në 3-4 vendet e para. Nuk ka ndeshje të lehta dhe diferencat nuk janë shumë të mëdha mes ekipeve”.

“Largimi i Cungut? Jam trajner vetë dhe nuk më vjen mirë kur largohen kolegët. Secili do kohën e vet, nuk është mirë për institucionin e trajnerit të ketë largime kaq shpejt”.

“Dita gjithë javës është stërvitur me ekipin, i ka kaluar problemet fizike. Ai luan në mesfushë, por edhe qendërmbrojtës. Do të na duhet të bëjmë spostime që të plotësojmë edhe pozicionin që ai zbraz në mesfushë. Mendojmë se do të bëjmë zgjedhjet e duhura për këtë ndeshje. Gjithmonë ndeshjet me Laçin janë të forta dhe shpresojmë të bëjmë më të mirën për të vazhduar me rezultate pozitive. Rezultati është qëllimi kryesor, por duhet të ndryshojmë edhe mënyrën e të luajturit”.

“Nuk hyjmë në fushë për barazim. Jemi të kënaqur me pikët që kemi marrë, por nuk ka qenë në paralele me lojërat. Kemi pasur shpesh luhatje, na e kanë vështirësuar edhe kundërshtarët. Pikët na kanë pëlqyer, por duhet të ngremë nivelin e lojës. Lojtarët kanë pasur mentalitetin e duhur që nuk janë dorëzuar asnjëherë”.

“Jemi të fokusuar te ndeshja me Laçin, vetëm hap pas hapi arrijmë aty ku duam. Laçi që nuk është i lehtë për t’u mundur. Duam të bëjmë mirë javë pas jave, që në fund të jemi aty ku ka objektivat klubi. Duhet të gëzohemi kur të mbarojë kampionati dhe rezultatet të jenë ato që kemi dashur”.

“Ndërprerja? Nuk do të bëjmë namin për një javë, do të punohet në një kompleksitet të gjerë për të kapur ato gjëra që kërkoj, por do të ketë edhe një drejtim të caktuar kush do të jetë prioriteti”.

“Mandela është shprehur shumë mirë, ka treguar cilësitë e një sulmuesi me potencial, ka shënuar dhe ka bërë presing. Më vjen mirë që edhe lojtarët e tjerë të sulmit kanë shënuar”, – tha trajneri Ilir Daja.

Dinamo ka grumbulluar 11 pikë pas 7 javëve të para të kampionatit dhe ka 5 rezultate pozitive radhazi.