Është luajtur java e 23-të e kampionatit “Abissnet Superiore”, që ngriti siparin të shtunën me sfidën Egnatia-Laçi. Ndeshja që u zhvillua në stadiumin “Arena Egnatia”, përfundoi në barazim pa gola 0-0.
Në orën 17:00 u luajtën edhe dy takime të tjera. Në “Niko Dovana” Dinamo City regjistroi fitoren e tretë radhazi në kampionat, pasi mundi Partizanin me rezultatin 2-1.
Edhe Vllaznia arriti një triumf tepër të rëndësishëm pasi fitoi në “Loro Boriçi” ndaj Teutës me rezultatin 2-1.
Të dielën u zhvilluan edhe dy takimet e fundit të kësaj jave, në orën 17:00. Në “Air Albania” Tirana barazoi 1-1 me Erzenin, ndërsa Skënderbeu fitoi në Korçë ndaj Kukësit me rezultatin minimal 1-0.
Kryeson e vetme tabelën e klasifikimit Egnatia me 48 pikë. Shumë interesante është bërë lufta për “Final 4”, sepse tashmë është ngushtuar diferenca mes skuadrave. Partizani dhe Vllaznia ndajnë vendin e dytë dhe të tretë në kuotën e 37 pikëve, ndërsa Tirana me 34 pikë, qëndron në vendin e katërt, por ndjen presionin e Dinamos, që ka vetëm 3 pikë më pak dhe një ndeshje të prapambetur për të luajtur.
Kukësi dhe Teuta vazhdojnë të qëndrojnë në 2 vendet që të çojnë në kategorinë inferiore, ndërsa Skënderbeu hedh një hap të madh drejt shpëtimit pas suksesit të sotëm.