RTSH Sport Live

Dinamo në kërkim të... qytetit

  • 14/09/2023
  • |
  • Futboll Vendi
Dinamo në kërkim të... qytetit
Fitorja e vuajtur me Kukësin nxorri në pah probleme të tjera

111 minuta me një gol në frymën e fundit që shfryn gjithë tensionin e krijuar në tre javë. Dinamo City më në fund shikon dritë në qytetin që nuk ka vendosur ende të përfaqësojë por disa sinjale të rëndësishme po i merr.

Kundër Kukësit në “Elbasan Arena” klubi blu mori pas edhe atë fat që i kishte munguar në dy ndeshjet e para ndërsa trajneri Di Biagio mund të punojë më i qetë për sfidën e radhës kundër Erzenit në Rrogozhinë të dielën.

Një fitore e vuajtur që nuk reflekton sjelljen e skuadrës në fushën e lojës por “nëndetësja” ka dalë në sipërfaqe dhe këtë e bëri në mënyrën më të vështirë të mundshme, me golat e një mbrojtësi që u transferua për të ndaluar sulmet e rivalëve por në mbrëmjen e Elbasanit tejkaloi cdo pritshmëri.

Më shumë se pikët që e largojnë nga fundi i klasifikimit, ky sukses mund të ndohmojë grupin të kalcifikohet edhe më shumë duke parë boshllëqet e pakuptueshme që skuadra shfaqi edhe në fragmente të caktuara të ndeshjes me Kukësin.

Lorenco Vila nuk ka arritur ende të shpërthejë talentin, ndërsa Denisson po konfirmohet siguria e madhe e mesfushës, njeriu që po bëhet ura e bashkimit mes gardës së sezonit të kaluar dhe 9 blerjeve të reja me Rexhepin, Vilën dhe Behiraçen si emrat më të spikatur.

4 gola të shënuar dhe 5 të pësuar, ndoshta ka ardhur momenti që Di Biaghio të bëjë italianin për të sistemuar edhe mbrojtjen që vazhdon të fusë ujë.