RTSH Sport Live

Dinamo nuk njeh pushim, vazhdon përgatitjet për takimin e radhës

  • 02/05/2023
  • |
  • Kategoria e Parë
Dinamo nuk njeh pushim, vazhdon përgatitjet për takimin e radhës
Pavarësisht se skuadra është pushim këtë fundjavë, ekipi vazhdon seancat stërvitore

Dinamo ka siguruar ngjitjen në Kategorinë Superiore  dhe tashmë po mendojnë që tani për sezonin e ardhshëm. E megjithatë, llogaritë me Kategorinë e Parë nuk janë mbyllur ende. Ka edhe një garë të hapur për titullin kampion.

Blutë janë ende në lojë, ndonëse shanset janë të pakta në raport me Skënderbeun. Korçarët kanë 4 pikë më shumë dhe nëse ata fitojnë ndeshjen e radhës me Besën, atëherë kryeqytetasit do ta kenë sa për statistikë javën e fundit ndaj Luzit.

Por, nëse bardhekuqtë ndalen nga kavajasit, atëherë çështja e kreut do të vendoset më 13 maj. Skuadra e Dritan Mehmetit këtë javë do të jetë sërish pushim, pasi në calendar është dueli me Tërbunin, me ekipin pukjan që përjashtuar nga Kategoria e Parë dhe rrjedhimisht Blutë marrin 3 pikët në tavolinë.

Por kjo nuk ndal aspak hovin e dinamovitëve, të cilët vazhdojnë me intensitet të lartë përgatitjet për duelin me Luzin. Ky takim do të luhet më 13 maj, ndërsa Mehmeti kërkon ta mbyllë sezonin me fitore, dhe pse jo në vendin e parë.