RTSH Sport Live

Dinamo, revolucioni “Mehmeti” vazhdon

  • 03/12/2023
  • |
  • Abissnet Superiore
Dinamo, revolucioni “Mehmeti” vazhdon
Mund Laçin 2-0 me dy gola në skajet fundore të secilës pjesë loje, tashmë është e 5-ta

Takimi i dytë i së dielës ka qenë ai që u luajt pasdite dhe ku Dinamo priti në Stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit Laçin, duke e mundur me shifrat 2-0, me nga në gol të shënuar në minutat e fundit të secilës pjesë loje. Në fakt, 45 minutat e para të kësaj sfide kanë folur për ekipin e trajnerit Dritan Mehmeti, e cila ka mbizotëruar si në lojë, ashtu edhe në rastet e ndërtuara për shënim. Dhe kjo epërsi në lojë do të konkretizohet dy minuta para fundit të pjesës së parë, kur Andoni do të bëjë atë që nuk arritën ta bëjnë deri në atë çast shokët e tij të skuadrës, duke përfituar nga një pasim i Gudjabisë dhe duke e dërguar topin në rrjetë.

Me këtë epërsi minimale do të mbyllet pjesa e parë, ndërsa ajo e dyta ka një tablo të kundërt, pasi është Laçi që mbizotëron dhe ndërton raste për shënim, duke e kërkuar me ngulm golin e barazimit. Edhe atëherë kur dukej se po e gjenin atë, kurbinasit u përballën me një pengesë të pakalueshme në trajtën e gardianit të portës dinamovite, Edmir Salin, i cili, në mënyrë heroike ua mohoi këtë mundësi miqve, duke e mbajtur të paprekur rrjetën e portës së tij. Ndërsa në krahun tjetër, Dinamo do të provojë të godasë me anë të kundërsulmeve dhe, nga një i tillë, do të gjejë edhe golin e dytë, me Patrik Bardhin, që vulos kështu fitoren e skuadrës së tij me shifrat 2-0 ndaj Laçit. Dinamo ngjitet në vendin e 5-të, në kuotën e 19 pikëve, dy më pak sesa Skënderbeu i vendit të 4-t, ndërsa Laçi mbetet në vendin e 7-të, me 16 pikë.