RTSH Sport Live

Donnarumma nuk është më i pazëvendësueshëm

  • 05/11/2024
  • |
  • Futboll Bota
Donnarumma nuk është më i pazëvendësueshëm
Luis Enrique: “Nesër në mëngjes do të vendos”

Gigio Donnarumma nuk ka më një vend të garantuar te PSG dhe duhet të konkurrojë për fanellën e titullarit me kolegun e tij, Safonov. Kjo është ajo që del nga zgjedhjet (pankina ndaj Lens në ndeshjen e fundit të kampionatit) dhe nga fjalët e Luis Enrique në prag të ndeshjes së Champions League kundër Atletico Madrid. “Nesër në mëngjes, pas një kapuçino të mirë, do të vendos se cili është portieri më i përshtatshëm për të luajtur”, tha trajneri spanjoll në konferencën për shtyp.

Që nga ardhja e tij në Paris në verën e vitit 2021, Donnarumma ka qenë një titullar pothuajse i përhershëm, duke lënë vetëm disa paraqitje për kolegët e tij në departament, në Kupën e Francës ose në ndeshjet e ligës të konsideruara të lehta.

Me ardhjen e Safonov nga Krasnodar verën e kaluar, siguritë e Gigios filluan të lëkunden, sepse Luis Enrique ka konsideratë të madhe për portierin rus dhe e lavdëroi publikisht pas ndeshjes kundër Lens: "Ishte shumë i mirë". Posti i titullarit është ende mbi supet e Donnarumma-s, por konkurrenca e ashpër sigurisht që nuk do ta bëjë atë të flejë i qetë.