Shqipëria kthehet nga Kampionati Evropian i Mundjes me një titull të kampion, të siguruar nga Islam Dudajev, dhe një nënkampion të kontinentit, të siguruar nga Zelimkhan Abakarov. Dy medalistët, së bashku me presidentin e Federatës Shqiptare të Mundjes, Sahit Prizreni, ishin të pranishëm në studion e emisionit “Zona 30” në RTSH ku kanë rrëfyer emocionet e tyre.
Kampioni i Europës, Islam Dudajev, mes të tjerash theksoi: “Kemi bërë një rrugëtim të gjatë dhe gjatë kësaj rruge mund të ketë patur dhe dështime, por është kënaqësi e madhe të bëhesh kampion i Europës, që është dhe rezultati më i madh në karrierën time. Në finale ishte shumë e vështirë, pasi rivali më përpara është shpallur kampion i Botës dhe i Europës, por unë i vura qëllim vetes që do e fitoj këtë titull. Para se të mbërrinim këtu, unë e kam parë rivalin, jemi stërvitur së bashku, jemi ndeshur përpara se të vija në Shqipëri dhe ndoshta ishte disi më e lehtë”.
“Këtu ndihem si në shtëpinë time. Në fillim mërzitesha pak, nuk njihja njeri. Por me kalimin e kohës, duke njohur dhe njerëzit, bëhet më interesante. Pjesëmarrja në Lojërat Olimpike? Do të mundohem të siguroj pjesëmarrjen, do të përpiqem maksimalisht për të shfrytëzuar mundësitë që kam përpara, pavarësisht se është e vështirë”
Keqardhje që nuk arriti të fitojë të artën, nënkampioni Abakarov tregon se ku gaboi: “Më vjen keq që nuk arrita të fitoja medaljen e artë. Rezultati ishte i ngushtë dhe në fakt unë lejova të ndodhte një gabim dhe në këtë formë edhe humba. Kemi kohë që ndjehemi shqiptar, kemi tri vite këtu dhe pak nga pak kemi filluar të kuptojmë shqip. Mbrojtja e titullit në Kampionatin Botëror? Sigurisht. Ka shumë rivalë të fortë”.
Sigurisht që ishte e mundur për dy të arta, Sahit Prizreni, ashtu si Abakarov nuk e fsheh zhgënjimin, por pa harruar të hedhë vështrimin përpara.
“Kur je kaq afër dhe kur je edhe para me pikë, sigurisht që fillon ta besosh. Jo se nuk e besuam, por dua të them se Abakarov ka bërë një ndeshje fantastike. Të mos harrojmë që është kualifikuar në 57 kg dhe është kampion i Botës në këtë peshë. Por për të ruajtur energjitë, ai ka garuar në peshën 61kg. Për mua është kampion Europe. Sigurisht që ndjej keqardhje që nuk arriti të artën, por mund të them se viti është nisur në mënyrën më të mirë të mundshme, djemtë na kanë bërë të ëndërrojmë dhe mendojmë për medalje olimpike, ai është synimi”.