RTSH Sport Live

Dumfris “njollos” festën e Interit, Federata nis hetimin

  • 29/04/2024
  • |
  • Itali
Dumfris “njollos” festën e Interit, Federata nis hetimin

Një banderolë njollosi festën, pikërisht ajo që Interi nuk donte. Denzel Dumfries shihet duke ngritur në qiellin e Milanos një fotomontazh të turpshëm. Në ekstazën e paradës së kampionatit, disa tifozë ia kaluan banderolën Marko Arnautovicit dhe prej andej arriti te holandezi. Në imazh shihet vetë Denzel duke mbajtur një qen me fytyrën e Theo Hernandez, të lidhur me zinxhir.

Referenca ka të bëjë me episodet e tensionuara mes dy skuadrave, që ndodhin sa herë që ato luajnë. Në derbin e fundit, atë të fituar nga Interi e që i siguroi edhe titullin kampion të Serisë A për këtë sezon, Dumfris dhe Teo kacafyten me njëri-tjetrin duke u ndëshkuar të dy me karton të kuq. Por shfaqja e asaj banderole nga ana e Dumfris nuk i ka gëzuar drejtuesit e klubit zikaltër,  të cilët kishin kërkuar një festë pa asnjë provokim. Lojtarët ishin paralajmëruar ditët e fundit nga vetë Steven Zhang (“të festojmë sipas vlerave të klubit”) dhe koncepti ishte përsëritur pak para se të hipnin në autobus.

Edhe një tjetër video që ka bërë xhiron e rrjeteve sociale po shkakton diskutime. Janë Lautaro dhe Bastoni në një kor ofendues kundër Milanit. Prokuroria Federale po merr në shqyrtim këto video dhe do të marrë masat e saj. Në rastin e Dumfries do të përdoret pika 4 e Kodit të disiplinës sportive, e cila thekson "besnikëri, korrektësi dhe ndershmëri". Mbetet për t’u parë dënimi dhe gjoba që do të marrin lojtarët dhe klubi i Interit.