RTSH Sport Live

Egnatia bën “bis” në Kupën e Shqipërisë

  • 14/05/2024
  • |
  • Futboll Vendi
Egnatia bën “bis” në Kupën e Shqipërisë
Mund Kukësin 1-0 në finale dhe mbron trofeun e fituar vjet

Veprimtaria e dytë e futbollit në vend, Kupa e Shqipërisë, ka ulur të martën siparin e edicionit të saj të të 72-të, duke kurorëzuar Egnatian si fituese, pasi triumfoi në finale ndaj Kukësit, me rezultatin 1-0. Kjo sfidë, që u luajt në mbrëmje në Stadiumin “Arena Kombëtare” në kryeqytet, ka vënë përballë njëra-tjetrën Egnatian, që e mbylli sezonin e rregullt të Kategorisë Superiore në krye të renditjes, dhe Kukësin, skuadrën që e mbylli në fundin e renditjes dhe sezonin e ardhshëm do të luajë në Kategorinë e  Parë, por që sfidoi gjasat duke arritur deri në finalen e së martës.

Pjesa e parë e ndeshjes ka qenë kryesisht e barazpeshuar, me skuadrat që më tepër sesa për të sulmuar, menduan të mbroheshin me kujdes, për të shmangur ndonjë të papritur të pakëndshme që në fazën fillestare të ndeshjes dhe vlen të përmendet vetëm një goditje e fortë e Montenegros nga larg, që grushtohet nga portieri i Kukësit, Tafas, në minutën e 9-të. 

Megjithatë, çerekora e fundit e pjesës së parë do të shohë Egnatian të këmbëngulë dhe një aksion i bukur i saj nga e djathta e sulmit finalizohet saktësisht në qendër të zonës nga Ndreca, që gjen rrugën e rrjetës në minutën e 38-të.

Me rrogozhinasit euforikë dhe në kërkim të golit të dytë, por me epërsinë minimale të tyre do të mbyllet pjesa e parë, ndërsa e dyta do të shohë Kukësin agresiv që në nisje, dhe fillimisht Hasaj gjen reagimin e portierit të Egnatias, Sherrit, në minutën e 50-të, ndërsa 3 minuta më vonë, pas një goditje dënimi, Zhongo ul topin për Lalën, i cili gjuan por nuk gjen portën nga një pozicion i volitshëm.

Loja do të hapet dhe çerekora e fundit do të jetë intensive dhe pasi Kukësi ka shpërdoruar një mundësi të mirë për të shënuar, pasi Sherri nuk e zotëron siç duhet topin, por verilindorët nuk e shtyjnë dot atë në rrjetë dhe mbrojtja rrogozhinase shpëton portierin nga prekja e rrjetës, në krahun tjetër është Egnatia që fiton një 11-metërsh pas ndërhyrjes së Sistemit të Ndihmës-Gjyqtarit të Videos (VAR). Por Fernando gabon nga pika e bardhë, pasi Tafas bën heroin, duke grushtuar dhe duke i mohuar Egnatias golin e dytë në minutën e 79-të.

11 minuta e mbetura të kohës së rregullt dhe 5 minutat shtesë, nuk kanë sjellë gola të tjerë, edhe pse verilindorët shpërdoruan një rast të mirë në fund, dhe Egnatia mund Kukësin 1-0 dhe mbron trofeun e Kupës së Shqipërisë, të fituar vjet.