Një ndeshje shumë e bukur është zhvilluar në “Loro Boriçi” mes Vllaznisë dhe Egnatias, por në përfundim të takimit janë rrogozhinasit ata që festojnë, pasi triumfojnë 2-0 në Shkodër përballë një rivali direkt.
Miqtë nga Rrogozhina mbyllin pjesën e parë në avantazh, falë një goli të shënuar nga pika e bardhe e penalltisë nga Regi Lushkja. Pjesa e dytë është akoma më e bukur, me dy skuadrat që hapen dhe krijojnë raste të shumta për shënim.
Vllaznia i afrohet golit të barazimit, por traversa dhe portieri Dajsinani i mohojnë festën shkodranëve, që kanë edhe pretendime për penallti për një pengim të Mensah në zonë.
Në minutën e 96-të është Zejnullai që shënon një gol shumë të bukur dhe vulos një fitore shumë të rëndësishme të Egnatias në transfertë.
Pas këtij suksesi, Egnatia ngjitet e vetme në krye të renditjes në kuotën e 39 pikëve, ndërsa Vllaznia zbret në vendin e katërt në kuotën e 37 pikëve.