RTSH Sport Live

Ernest Muçi: tek Legia e Varshavës, për 500 mijë euro

  • 20/02/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Ernest Muçi: tek Legia e Varshavës, për 500 mijë euro
Sulmuesi do të transferohet në Poloni, niset nesër në orën 05:00 të mëngjesit, Tirana do të mbajë 10% të vlerës së kartonit

Pas shumë hamendësimesh në merkato, e ardhmja e sulmuesit bardheblu, Ernest Muçi është vendosur tashmë. Siç bëhet e ditur nga burime pranë skuadrës kampione, lojtari në fjalë do të bashkohet me Legian e Varshavës në kampionatin polak, ndërsa Tirana do të përfitojë një shumë prej 500 mijë eurosh si dhe do të mbajë 10% të vlerës së kartonit të lojtarit.

Sfida e luajtur kundër Teutës ka rezultuar e fundit për sulmuesin me ngjyrat bardheblu, pasi nesër, në orën 05:00 të mëngjesit, do të niset drejt destinacionit të ri, për të provuar fatin në kampionatin polak, me një skuadër me një emër të madh në këtë vend.

Prej ditësh në mediat polake ishte bërë e ditur se 19-vjeçari ishte pranë gjigandëve të futbollit polak, duke e cilësuar si më të mirin e futbollit shqiptar, por dhe si një nga talentet më të mëdhenj në Ballkan. Ishin në diskutim detajet e fundit, ndërkohë që gjatë ditës së sotme gjithçka ka marrë fund dhe Muçi tashmë mund të quhet një lojtar i Legias së Varshavës.