RTSH Sport Live

Erzeni fiton duelin e mbijetesës

  • 04/06/2023
  • |
  • Abissnet Superiore
Erzeni fiton duelin e mbijetesës
Mposht Korabin 2-1, por vetëm pas kohëve shtesë, dhe ruan statusin “Superior”|

Është luajtur të dielën dueli i fundit i këtij sezoni të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që ka dhënë edhe verdiktin e fundit se cila do të jetë skuadra që do të luajë në nivelin më të lartë e cila në atë të dytë sezonin e ardhshëm. Dhe do të jetë Erzeni skuadra që do të vazhdojë të luajë sezonin e ardhshëm në kategorinë Superiore, pasi shijakasit kanë triumfuar me rezultatin 2-1 në duelin e “play-off”-it ndaj Korabit, e cila, nga ana e saj, do të vazhdojë në Kategorinë e Parë. Sfida e luajtur pasdite në Stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, u vendos në kohët shtesë, pasi koha e rregullt u mbyll në barazim 1-1.

Erzeni kaloi në epërsi që në minutën e 3-të, kur Sadiki dërgoi me kokë në rrjetë një top të ardhur nga e majta. Por dibranët nuk janë tulatur nga goli, duke reaguar menjëherë dhe duke arritur, në minutën e 19-të, të barazojnë shifrat me anë të Tabakut, që rrotullohet bukur në zonë dhe mposht me goditjen e tij mbrojtjen dhe portierin shijakase. Përtej përpjekjeve të të dyja skuadrave, pjesa e parë në Durrës, do të mbyllet në barazim 1-1, ndërsa ajo e dyta ka qenë e luftuar, me të dy ekipet që përpiqen, por pa e gjetur dot rrugën e rrjetës, edhe për shkak se u ka munguar qartësia dhe finalizimi në aksionet e tyre.

Pjesa e dytë nuk ka sjellë gola të tjerë, duke bërë që gjithçka t’u drejtohet dy pjesëve shtesë nga 15 minuta secila. Me fillimin e atyre të parave, brenda 3 minutash lojë, Erzeni rikthehet në epërsi, falë golit të realizuar si rrjedhojë e këmbënguljes së Mehmetit.

Nuk ka më gola deri në fund dhe Erzeni mposht kështu Korabin me rezultatin 2-1 dhe skuadra shijakase do të vijojë të luajë midis më të mirave të futbollit shqiptar edhe për sezonin e ardhshëm, ndërsa dibranët i pret një tjetër sezon në Kategorinë e Parë.