Kombëtarja e vajzave A do të nisë nesër përgatitjet zyrtare për dy ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Europian “Zvicër 2025” ndaj Estonisë (31 maj) dhe Luksemburgut (4 qershor).
Në kuadër të këtyre dy ndeshjeve mjaft të rëndësishme për vajzat kuqezi, të cilat kërkojnë të pozicionohen në vendin e parë në grupin C5 dhe të kalojnë në fazën play-off të kampionatit Europian, trajneri Armir Grima ka zbardhur listën e futbollisteve të grumbulluara.
Tekniku shqiptar ka ftuar 20 lojtare për këto dy ndeshje, teksa lista ka edhe risi këtë herë. Kombëtares i bashkohen dy futbolliste mjaft të talentuara, të cilat premtojnë shumë për të ardhmen e ekipit të vajzave. Xhesika Ndoj, e cila aktivizohet me ekipin e Apolonisë dhe Klesta Ago, e cila luan me Tiranën janë ftuar për herë të parë nga trajneri Grima dhe do të jenë pjesë e Kombëtares kuqezi.
Përfaqësuesja kuqezi do të grumbullohet nga e diela në Tiranë, teksa përgatitjet për këto dy ndeshje do t’i zhvillojë në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” dhe në stadiumin ‘Selman Stërmasi’.
Më 29 maj, Kombëtarja do të udhëtojë drejt Estonisë, ku më 31 maj do të luajë edhe ndeshjen e tretë të grupit ndaj vendaseve, në stadiumin “Le Coq Arena” në ora 17:00.
Ndërkaq, më 4 qershor, Shqipëria do të presë në stadiumin “Elbasan Arena” ekipin e Luksemburgut. Takimi është planifikuar të luhet në ora 18:00, teksa dyert e stadiumit do të jenë të hapura për të gjithë tifozët shqiptarë, në mbështetje të vajzave kuqezi.
Aktualisht, Shqipëria e vajzave renditet në vendin e dytë të grupit C5, në kuotën e 3 pikëve, me një ndeshje të fituar ndaj Estonisë (2-0) dhe një takim të humbur ndaj Luksemburgut (1-2).