Crvena Zvezda fitoi një ndeshje magjike në Barcelonë përballë katalanasve 74-78 pas një beteje e cila zgjati për plot dy orë. Ndeshja nisi me një shkëputje 10-0 për Barcelonën dhe u duk se gjithçka do të ishte e thjeshtë për ta, por Zvezda arriti me nje parcial 0-11 të kalonte përpara dhe këtu nis realisht loja. Gjithçka e ekuilibruar në periodën e parë dhe diferenca nuk shkon më shumë se 7 pikë.
E njëjta histori edhe në periodën e dytë, por Barcelona më e gjallë dhe e mbyll 35-34. Në periodën e tretë vijon ekuilibri por Zvezda nis të gabojë, ndërkohë që për katalanasit futet në lojë Brizuela, i cili me një trepikësh magjik nga mesi i fushës e ngre peshë pallatin e sportit.
Perioda e katërt nis me Barcelonën më komode që arrin ta cojë në +7 pikë avantazhin por menjëherë do të nisë të shënojë Petrushev që arrin ta barazojë për skuadrën udhëtuese. Jo vetëm në sulme graduale, por Zvezda do të godasë edhe me sulme të shpejta ku Kalinic ia del t’i japë avantazhin.
Në fund kur kërkohet qetësia më e madhe e mbrëmjes, aty gabojnë spanjollët. Si fillim ndeshja barazohet në 74-74 , më tej Zvezda shënon trepikësh me Davidovac dhe kalon në 3 pikë avantazh.
Barcelona me Punter e humbet topin dhe Zvezda shënon edhe një gjuajtje të lirë me Nedovic dhe gjithçka merr fund me fitoren e Crvena Zvezdës me 4 pikë diferencë. Me këtë fitore Zvezda ngjitet në vend të 8-të ndërsa Barcelona zbret në vend të 11-të.