RTSH Sport Live

Euroliga në RTSH: Olimpiakosi përmbys Partizanin në Beograd

  • 28/03/2024
  • |
  • Basketboll
Euroliga në RTSH: Olimpiakosi përmbys Partizanin në Beograd
Serbët kryesojnë për gjysmë ore, por munden në 10-minutëshin e fundit, 74-69

Veprimtaria më prestigjioze e basketbollit kontinental të klubeve, Euroliga, është rikthyer të enjten në ekranin e Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar, që ka sjellë një nga sfidat më të spikatura të javës së 32-të të sezonit të rregullt të saj. Ndeshje e zhvilluar në një atmosferë të ndezur në kryeqytetin serb, ka parë skuadrën vendase të përfitojë më së miri nga mbështetja, duke e fituar 10-minutëshin e parë me 5 pikë epërsi, 22-17.

Edhe pse skuadra greke mundohet të kundërpërgjigjet në 10-minutëshin e dytë, nuk e ka qetësinë e duhur në parket dhe Partizani i Beogradit e ka fituar edhe atë 18-15, duke shkuar në pushimin e madh midis dy gjysmave duke kryesuar me 8 pikë epërsi, me shifrat 40-32. E njëjta tablo është edhe pas daljes nga dhomat e zhveshjeve, teksa skuadra vendase e ka fituar 10-minutëshin e 3-të, 19-14, duke kryesuar kështu pas një gjysmë ore lojë me 13 pikë epërsi, 59-46.

10-minutëshi i 4-t dhe i fundit ka shënuar një përmbysje të jashtëzakonshme, teksa skuadra beogradase shënon vetëm 2 pikë në 7 minutat e para, ndërsa Olimpiakosi shënon 18. Edhe pse Partizani përpiqet në minutat e fundit, skuadra greke e ka fituar edhe fraksionin e fundit të lojës, 28-10, duke përmbysur kështu shifrat dhe duke e fituar gjithë ndeshjen 74-69.

Të premten, Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar do të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt në RTSH Sport, duke nisur nga ora 20:30, një tjetër takim të javës së 32-të, atë midis Virtus Bolonjës dhe Panathinaikosit.