RTSH Sport Live

Fabio Kanavaro, leksion të hapur në FSHF

  • 18/04/2024
  • |
  • Futboll Vendi
Fabio Kanavaro, leksion të hapur në FSHF
Ish-kampioni i botës, ishte i ftuari special në kursin për trajnerë “UEFA PRO”

Ish-mbrojtësi i famshëm italian, Fabio Kanavaro, ishte i ftuari special i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), në kursin për trajnerë “UEFA PRO”. Kampioni i botës me pëfaqësuesen italiane të futbollit dhe fituesi i “Topit të Artë”, zbarkoi në Shqipëri këtë të enjte dhe mbajti një leksion të hapur për të gjithë pjesëmarrësit në kursin “UEFA PRO”, me temën “Nga futbollist në trajner, nga sukseset në fushë në kampionatet e fituara në stol”.

Ky leksion i hapur u drejtua nga Drejtori Teknik i FSHF-së, Fulvio Pea dhe u përshëndet edhe nga zv/Presidenti i FSHF-së, Lutfi Nuri dhe anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Anila Basha, teksa të ftuar ishin edhe drejtues dhe përfaqësues të klubeve shqiptare, trajnerë, futbollistë, e ish-futbollistë.

Gjatë këtij leksioni, ndër të tjera, italiani i njohur vuri në dukje zhvillimin e Federatës Shqiptare të Futbollit nën drejtimin e Presidentit Armand Duka., ndërsa vlerësoi edhe Kombëtaren kuqezi të futbollit. Më tej, Kampioni i Botës dhe fituesi i Topit të Artë dha edhe një mesazh për kursantët e UEFA PRO duke i inkurajuar që të punojnë shumë për të arritur sukses.

Fabio Kanavaro bëri edhe një vizitë në “Shtëpinë e Futbollit”, ku pa edhe mjediset e reja të FSHF-së, dhe qendrën stërvitore të Kombëtares shqiptare të futbollit.