RTSH Sport Live

Ferrari vazhdon me të njëjtin problem

  • 30/10/2023
  • |
  • Formula 1
Ferrari vazhdon me të njëjtin problem
Makinat e kuqe nuk arrijnë të menaxhojnë si duhet gomat

Charles Leclerc i jep Ferrarit podiumin në GP të Meksikës, por në shkallën më të ulët, sepse fitues ishte si gjithnjë Max Verstappen. Piloti i skuadrës së Maranellos e analizon kështu paraqitjen e tij: "Ky ishte rezultati më i mirë i mundshëm. Vuajtëm shumë me gomat e forta. Makina jonë është shumë e ndjeshme. Megjithatë ne bëmë maksimumin edhe pse makina nuk ishte plotësisht në rregull – ka thënë Lëklerk. I zhgënjyer ka qenë Carlos Sainz për vendin e katërt.

"Nuk ishte një garë e mirë. Është shumë e çuditshme. Në kualifikuese arrijmë poleposition duke qenë tre të dhjetat më të shpejtë se Mercedesi dhe në garë situata është e kundërta" – ka thënë piloti spanjoll i Ferrarit. Ndërsa për paraqitjen e tij shton: "Më duhej të rritja ritmin, por me gomat e fortë nuk e arrija dot. Mercedesi i bën gomat të kenë më shumë jetëgjatësi në pistë. Kjo është ajo që ne po përpiqemi të përmirësojmë për vitin e ardhshëm. Tani nuk e kemi fleksibilitetin për t'u sjellë si ata".

Gjysmë i lumtur ka qenë edhe drejtori i Ferrarit, Frederic Vasseur për rezultatin në Çmimin e Madh të Meksikës. "të dy pilotët tanë nuk e nisën mirë garë, duke i lejuar të tjerët që t’i parakalonin. Aty humbëm kontrollin e situatës duke i sjellë vështirësi të dy pilotëve" – ka thënë ai.

Ndërsa për bilancin e fundjavës, sigurisht që theksi mbetet te menaxhimi i gomave. Fenomen që vazhdon të penalizojë të dyja makinat Ferrari. Ndërkohë që Mercedesi, çuditërisht është më mirë se makinat e kuqe në këtë aspekt.