FIFA ka nisur zbatimin e investimit të fondit prej 50 milionë dollarë të përfituar nga Botërori i Katarit në 2022. Ky fond do të përdoret në programet sociale në bashkëpunim tre organizata globale, për realizimin e shumë projekteve në ndihmë të shëndetit, rregullave për kushte të mira në punë, në mbrojtjen dhe përkrahjen e grave, si dhe për zhvillimin e futbollit.
Fondi prej 50 milionë dollarë i arritur nga FIFA në përfundim të Botërorit të futbollit Katar 2022 do të vihet në zbatim në bashkëpunim tre organizata të rëndësishme botërore, Zyra e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Organizata Botërore e Tregtisë (OBT). Objektivi i këtij fondi dhe partneriteti me shumë palë e ndihmojnë FIFA-n të japë rezultate përtej fushës dhe të mbështesë organizatat ndërkombëtare që të sjellin ndikime pozitive sociale dhe zhvillimore në të gjithë globin.
Iniciativa novatore u prezantua dhe u nënshkrua gjatë një takimi ku morën pjesë presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino dhe drejtuesit e organizatave të tjera. Fondi i Trashëgimisë do të zbatohet në bashkëpunim të ngushtë me Komitetin Suprem për Dorëzim dhe Trashëgimi, me seli në Doha, Katar.
Tepër krenar për realizimin e këtij projekti, Gianni Infantino, president i FIFA-s u shpreh: "Sot është një ditë shumë e rëndësishme, një ditë historike. Fondi i Trashëgimisë së Kupës së Botës FIFA Katar 2022, një realitet tashmë, do të investojë një shumë prej 50 milionë dollarësh për projekte kyçe që përfshijnë refugjatët, shëndetin në punë, arsimin, përkrahjen dhe mbrojtjen e grave si dhe zhvillimin e futbollit”.
“Në bashkëpunim me tre partnerë të jashtëzakonshëm, tre partnerë të shkëlqyeshëm për FIFA-n, për Komitetin Suprem, për Katarin, për t'u siguruar që trashëgimia e Kupës së Botës FIFA 2022 do të ketë një ndikim pozitiv në miliona njerëz, jo vetëm në një vend apo në një rajon, por në fakt, në të gjithë botën."