RTSH Sport Live

Flamurtari, detyrim për të fituar kampionatin

  • 23/08/2024
  • |
  • Futboll Vendi
Flamurtari, detyrim për të fituar kampionatin
Sipas trajnerit Agostinelli dhe kapitenit Pjeshka, vlonjatët nuk duhet të diskutojnë asnjë ndeshje

Flamurtari do të ndeshet të shtunën me Burrelin në ndeshjen e parë të Kategorisë së Parë. Trajneri Agostinelli dhe kapiteni Pjeshka thonë se vlonjatët e kanë detyrim fitimin e kampionatit, pa diskutuar asnjë ndeshje dhe kundërshtar.

Flamurtari do të presë të shtunën Burrelin, në ndeshjen e parë të Kampionatit të Kategorisë së parë, e cila do të transmetohet direkt në RTSH Sport, në orën 17.00. Në prag të sezonit të ri, trajneri Andrea Agostinelli thotë se klubi i ka vënë në dispozicion një skuadër të mirë dhe ai e ndjen si detyrim fitimin e kampionatit.

“Ndeshja e parë e kampionatit është gjithmonë e veçantë, sepse nuk njeh mirë as skuadrën tënde dhe as kundërshtarët. Do të jetë ndeshje e rëndësishme, seëse duam ta nisim mirë. Siç e kam thënë që nga dita e parë që jam këtu, kam ardhur sepse Flamurtari duhet ta fitojë këtë kampionat. Nuk e them se më mungon respekti për kundërshtarët, por nuk më pëlqen të luaj për 0-0 dhe meqënëse klubi më ka vënë në dispozicion një skuadër të mirë, e kam për detyrim ta fitoj këtë kampionat”.

Italiani thotë se nuk sheh një repart dominues në skuadër, duke kërkuar futboll sulmues e të ekuilibruar në mbrojtje.

“Skuadrat e forta janë skuadra të ekuilibruara. Janë skuadra që shënojnë gola dhe pësojnë pak. Ndaj nuk ka një repart detyrimisht fitues. Është  gjithë skuadra. Mënyra ime e lojës është futboll proaktiv, sulmues, por me ekuilibrat e duhur në mbrojtje”.

Kapiteni Denis Pjeshka thotë se ndeshjet e para janë delikate, deri sa të arrihet forma e duhur, megjithatë Flamurtari nuk duhet të diskutojë asnjë kundërshtar.

“Gjithmonë ndeshjet e para të kampionatit janë pak delikate, sepse edhe ekipi nuk është në 100% të formës. Vijmë pas fazës përgatitore, pas ngarkesave, megjithatë ne nuk duhet të diskutojmë asnjë ndeshje, asnjë kundërshtar”, ka përfunduar kapiteni i vlonjatëve.