RTSH Sport Live

Flamurtari, tjetër trofe kampioni

  • 16/05/2022
  • |
  • Basketboll
Flamurtari, tjetër trofe kampioni
Vajzat vlonjate mundin Partizanin për herë të tretë dhe marrin titullin e 24

Flamurtari në basketboll për femra është kampion i Shqipërisë për herë të 24, ndërsa ka mundur Partizanin edhe në finalen e tretë, që është luajtur në Vlorë, 94-58. Vlonjatet e Elona Hasanajt e kanë dominuar ndeshjen nga fillimi deri në fund, ndërsa kanë luajtur një ndeshje perfekte të dielën përballë publikut vlonjat. Në përfundim të pjesës së parë kanë qenë shifrat 45-24.

 Edhe pas pushimit Flamurtari mban të njëjtin ritëm loje, ndërsa thellon në 70-35 për ta mbyllur krejt takimin 94-58. Një fitore që i jep titullin kampion Flamurtari, teksa dorëzimi i trofeut nga presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, ka dhënë gëzim të madh në Pallatin e Sportit në Vlorë.

Kështu Flamurtari dominon basketbollin shqiptar të vajzave, ndërsa tanimë është fjala për titullin kampion të meshkujve, që diskutohet mes Teutës e Vllaznisë.