RTSH Sport Live

Furlani “blindon” Fonsekën dhe mbyll çështjen Hernandez-Leao

  • 04/09/2024
  • |
  • Itali
Furlani “blindon” Fonsekën dhe mbyll çështjen Hernandez-Leao

Fillimi i sezonit (dy pikë në tre ndeshjet e para të kampionatit) nuk ishte ai që drejtuesit e Milanit imagjinonin për epokën e re me Paulo Fonsekën në pankinë. Trajneri portugez është tashmë në qendër të kritikave, sidomos nga ana e tifozëve, veçanërisht pas skenës së Hernandez dhe Leaos në “Olimpico”, të cilët nuk u bashkuan me skuadrën për të marrë udhëzime nga trajneri gjatë pushimit.

Drejtori i Përgjithshëm i kuqezinjve, Giorgio Furlani tentoi të shuante zjarrin: “Ne jemi me trajnerin dhe ekipi gjithashtu”, deklaroi ai.

Për rastin që shpërtheu mes fushës dhe rrjeteve sociale në lidhje me Hernandez dhe Leao, Furlani konfirmoi linjën e klubit: "Është folur shumë për këtë, shumë në fakt. Ne drejtuesit dhe vetë lojtarët jemi të befasuar nga reagimi që ndodhi, për ne ajo që ndodhi në Romë nuk ishte një çështje”.

Pushimi, edhe pse me shumë lojtarë të shpërndarë nëpër botë me kombëtaret e tyre, do t'i shërbejë skuadrës kuqezi për të sqaruar idetë. "Natyrisht që do të kishim dashur të grumbullonim nëntë pikë, por nuk është koha për të folur për ndeshje të rëndësishme apo për të bërë fjalime të tilla. Të gjithë jemi me trajnerin dhe nuk ka asnjë lloj paniku". Edhe në merkato Furlani konfirmon: “Kemi bërë atë që kemi dashur të bëjmë që në fillim, jemi të kënaqur”.