RTSH Sport Live

Guardiola, obsesioni Champions: Interi? Nga Italia më thonë se...

  • 24/05/2023
  • |
  • Futboll Bota
Guardiola, obsesioni Champions: Interi? Nga Italia më thonë se...
Trajneri i Manchester City-t prezanton ndeshjen me Brighton, por e gjithë vëmendja është përqendruar tek ndeshja kundër zikaltërve në Stamboll

10 qershori, data e finales së Ligës së Kampionëve, po afrohet gjithnjë e më shumë dhe trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, nuk ka asnjë mendim tjetër përveç momentit historik në Stamboll. Në konferencën për shtyp që i paraprin ndeshjes së Premier ndaj Brighton-it të De Zerbit, trajneri spanjoll është ndalur te vështirësitë që mund të krijojë Interi i Simone Inzaghit për djemtë e tij. Ja çfarë ka rrëfyer.

“Fillova të shikoja disa minuta Interin, disa situata loje dhe më lanë shumë përshtypje”, është komenti i trajnerit spanjoll për zikaltërit. “Ata më bënë përshtypje me atë që bëjnë, me gjuhën e tyre të trupit”. Ish-lojtari i Barcelonës ishte aq i impresionuar nga mënyra e të kuptuarit të futbollit të zikaltërve, saqë kërkoi nga miqtë e tij italianë disa këshilla për skuadrën e Inzaghit: “Pasi fillova t'i shikoja, thirra disa miq që jetojnë në Itali për të kërkuar mendimin e tyre për Interi: të gjithë më thanë të jem në vëzhgim sepse janë seriozë. Nuk ishte nevoja të më thoshin: E kasha kuptuar duke parë ato pak minuta, ato situata loje”.

Pas fitimit të Premier League, Manchester City ka mundësinë historike për të kompletuar një tripletë të pabesueshme: para finales së Champions League në Stamboll, 'Qytetarët' do të përballen me Manchester United në një derbi që vlen triumfin në Fa Cup. Mendimet e Pep, megjithatë, edhe një herë shkojnë te kupa me veshë të mëdhenj dhe i paralajmëron të gjithë: "Sigurisht që Interi mund të na mundë. Ata e kanë fituar tri herë këtë trofe dhe ne nuk kemi asnjë", nënvizon Pep, i cili më pas i hedh dorashkën Lukakut dhe shokëve të tij: “Duam të bëjmë më të mirën që të mos ndodhë”.