Sulmuesi i Spartës së Pragës flet në vigjilje të ndeshjeve të Shqipërisë kundër Republikës Çeke dhe Ukrainës.
I grumbulluar për herë të dytë me Kombëtaren, Indrit Tuci vlerësoi çekët për lojën që bëjnë, ndërsa theksoi se kuqezinjtë po marrin masat e duhura për të dyja ndeshjet. Sulmuesi tregoi se është në gjendje të mirë fizike, teksa tha se është gati për të dhënë maksimumin e tij nëse trajneri i beson minuta në ‘Air Albania’. Tuci nuk sheh rivalë në Kombëtare, ndërsa tha se kuqezinjtë luajnë për kombin shqiptar dhe shpreson të shënojë edhe gol te këto sfida.
Presion që mbetesh alternativë në sulm?
Presion nuk kam, por kam qejf sepse është hera ime e parë që do të luaj në ‘Air Albania’ dhe stadiumi është sold out. Këtë e marr si motivim dhe jo presion. Nëse trajneri më beson, jam gjithmonë i gatshëm ta bëj punën time.
Sa do na ndihmojë fakti që ti e njeh Çekinë?
I njoh mirë sepse kanë një stil loje që edhe ne e pamë në ndeshjen e parë. Janë fizikë, luajnë me topa të gjatë, do të bëjmë ç’është e mundur që t’i ndalojmë dhe të jemi më luftëtarë në topat e dytë. Ata kanë një sulmues të gjatë dhe duhet ta mbulojmë sa më mirë dhe shpresoj që ashtu sikurse në ndeshjen ndaj Gjeorgjisë, t’i neutralizojmë, të bëjmë një ndeshje të njëjtë dhe të kënaqim tifozët.
Çfarë prisni të ndryshojë skuadra në ndeshjen ndaj Çekisë?
Nuk janë pak tre gola në 4 ndeshje. Po t’i shikojmë ekipet e tjera, kanë shënuar sa ne. Gjeorgjia ka bërë më mirë se ne. Ne kemi 6 pikë aq sa kanë edhe dy ekipet e tjera. Nuk ka rëndësi sa gola shënon, nëse fiton ndeshjen 1-0, merr tre pikët dhe e ke kryer punën. Dëshira jonë është që të shënojmë gola dhe besoj se do t’ia dalim me sukses sepse po stërvitemi mjaft mirë.
‘Konkurrenti’ juaj në Kombëtare?
Kam ardhur në Kombëtare që të japim më të mirën. Këtu nuk jemi në klub, ku mund të mërzitesh se pse nuk luan. Kombëtarja është komplet ndryshe, nuk je këtu për veten. Je për kombin, për emblemën. Duhet të japim maksimumin, aq minuta sa je në fushë.
A ke pasur komunikim me lojtaret e klubit Sparta Praga?
Luaj vetëm me qendërmbrojtësin Vitig te Sparta, ai ishte i grumbulluar me Çekinë. Por u dëmtua, për ne është avantazh sepse është lojtar mjaft i mirë. Do i bënte shumë punë Çekisë. I uroj shërim të shpejtë, por më vjen mirë që nuk luan kundër nesh.
‘Debutimi’ në ‘Air Albania’ dhe a e ke menduar golin?
Çdo ditë e mendoj. Para se të shkoj të fle, e mendoj golin dhe si mund ta shënoj. Objektivi im është që të jap më të mirën dhe të ndihmoj ekipin. Goli është i mirëseardhur nëse vjen.
Si do të ndiheshe nëse do të shënoje para tifozëve në Air Albania.
Vetëm të luaj para tyre është ndjenjë e veçantë dhe shpresoj shumë që ta shënoj golin. Nuk ka rëndësi për mua. Nëse e shënon Ramadani, do jem dyfish më i lumtur.