RTSH Sport Live

Izmir Smajlaj dhe pafajësia e tij

  • 03/05/2023
  • |
  • Sporte të tjera
Izmir Smajlaj dhe pafajësia e tij
Kampioni i Europës kërkon që të rikthehet në garë me Gjergji Rulin trajner

Izmir Smajlaj është shpallur i pafajshëm nga Njësia e Integritet të Atletikës, teksa së bashku me presidentin e Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergji Ruli, dhe sekretarin e përgjithshëm, Nikolin Dionisi, u akuzuan për falsifikimin e rezultatit. Bëhet fjalë për garën e 8 majit 2021, atje ku Smajlaj kërceu 8.16 metra. Vendimi është zbardhur më 26 prill 2023, ndërsa Smajlaj shfaqet i kënaque për pafajësinë e tij.

"Në fakt ndihem shumë i lumtur, por njëkohësisht edhe shumë i mërzitur për shkak se më është dënuar trajneri dhe presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës. I lumtur sepse më në fund doli e vërteta dhe doli e drejta, sepse isha akuzuar për gjëra që nuk më përkisnin mua. Por rikthehem edhe një herë në pistë ashtu sikurse më takon", shpjegon Izmir Smajlaj.

E vërteta e garës së 8 majit 2021 shpjegohet edhe një herë nga Smajlaj, i cili të njëjtën gjë ka thënë edhe përpara Njësisë së Integritet të Atletikës.

"8.16 metra është diskutuar dhe është vënë në dyshim për shkak të një matësi ere, që mungoi e nuk ishte prezent në garë. Por një gabim teknik nga drejtuesit e Federatës Shqiptare të Atletikës shkaktoi faktin e përfshirjes nën hetim", tregon Kampioni i Europës në kërcim së gjati.

A ishte ky rezultat i kërkuar me të gjitha mënyrat, ndoshta dhe të pandershme, për të shkuar më pas në Lojërat Olimpike “Tokio 2021”?

"Edhe po të mos ishte ky rezultat unë përsëri do të shkoja në Tokio, sepse isha sportisti më i mirë për meshkuj. Edhe sikur të kërceja 7.80 metra isha me pikë olimpike më shumë se sa çdo atlet mashkull në Shqipëri", thotë Smajlaj.

E tanimë të gjithë presin që Smajlajn ta shohin në pistë për të rinisur garat. Por kur do të jetë ajo kohë?

"Jam ende në një fazë rekuperimi. Akoma nuk jam gati për të kërcyer. Stërvitje bëj dy herë në ditë. Jam në një formë shumë të mirë, por besoj se nga muaji gusht do të filloj garat", thekson Smajlaj.

Norma e kualifikimit për në Lojërat Olimpike “Paris 2024” sa e mundur është të arrihet?

"Unë nuk do ta ndalë stërvitjen, kjo gjatë gjithë verës. E që në janar do të jem gati qind për qind. Ka afat deri në qershor e besoj se do ta kap normën olimpike", pohon atleti shkodran.

Dhe karriera e një kampioni Europe në vazhdim me apo pa Gjergj Rulin trajner?

"Shpresoj me Gjergji Rulin trajner. Kështu ma do zemra", përfundon Izmir Smajlaj.