RTSH Sport Live

Jonuzi-Abazaj, Tirana “fundos” Erzenin

  • 19/04/2024
  • |
  • Abissnet Superiore
Jonuzi-Abazaj, Tirana “fundos” Erzenin
Bardheblutë kanë fituar me rezultatin 2-0 në sfidën e luajtur në “Elbasan Arena”

Tirana, një fitore për vendin e katërt. Bardheblutë, në kuadër të javës së 32-të të Superiores, kanë arritur të marrin një fitore 2-0 në transfertën e luajtur në “Elbasan Arena” përballë Erzenit.

Pas një mundësie të artë të shijakasve, që në tri tentativa të njëpasnjëshme nuk arritën të gjejnë rrugën e rrjetës, bardheblutë arritën të zhbllokojnë rezultatin nga pika e penalltisë. Pikërisht në minutën e 19-të ishte Abazaj që u tregua i saktë nga pika e bardhë.

Në pjesën e dytë, edhe njëherë ishin shijakasit që shpërdoruan, Kahrimanoviç u tregua i pasaktë në ekzekutimin e penalltisë së akorduar në minutën e 54-ët, goditja e tij u prit nga portieri bardheblu, Kozi.

Kur nuk shënon e pëson dhe kjo u vërtetua menjëherë, me Tiranën që dyfishoi shifrat në minutën e 60-të me Jonuzin, i cili e dërgoi topin në rrjetë me një goditje mjaft të bukur nga distanca. Ndërkohë, tre minuta më vonë, Patrik shënon dhe të tretin, por që është anuluar për një pozicion jashtë loje.

Me këtë fitore, momentalisht Tirana është ngjitur në vendin e 4-ët me 46 pikë, ndërsa Erzeni mbetet në vendin e parafundit me 31 pikë.