RTSH Sport Live

Kampionati Ballkanik, Luiza Gega nuk ndalet, merr dy medalje të arta

  • 27/05/2024
  • |
  • Evente Sportive
Kampionati Ballkanik, Luiza Gega nuk ndalet, merr dy medalje të arta

Kampionati i 77-të Ballkanik është dominuar nga Luiza Gega. Atletja shqiptare ka mundur të marrë dy medalje të arta në dy garat e zhvilluara të shtunën dhe të dielën në turneun, i cili u mbajt në Izmir të Turqisë.

Dy ditë më parë kampionia shqiptare dominoi garën e 3000 metrave me pengesa duke prerë finishin me kohën 9’26”40. Në këtë Garë Gega ishte absolute duke lënë ndjekësen e saj më të afërt gati 20 sekonda pas.

Në ditën e dytë, Luiza Gega triumfoi edhe në garën e 5000 metrave. Ndryshe nga gara e parë në të dytën shqiptarja e pati të vështirë pasi iu desh që të mposhte atleten keniane të natyralizyuar si turke, Yasemin Can.

Gara ishte shumë taktike dhe kampionia jonë e bëri diferencën në 400m e fundit, duke e mbyllur garën e 5000m me kohën 15’38”52. Kujtojmë që Luiza Gega është e vetmja atlete shqiptare pjesëmarrese ne Lojërat Olimpike të Parisit.

Gega përpara “Paris 2024” ka edhe një tjetër garë të rëndësishme për të kryer pasi do të jetë pjesë e Europianit të Atletikës në Romë, ku do të tentojë të mbrojë titullin kampion të Europës në disiplinën 3000m me pengesa.