RTSH Sport Live

Kanavaro: Shqipëria nuk mund të nënvlerësohet

  • 18/04/2024
  • |
  • Kombëtarja
Kanavaro: Shqipëria nuk mund të nënvlerësohet
Ish-futbollisti i njohur, kampioni italian i botës, Fabio Kanavaro, lavdëron kuqezinjtë

Fabio Kanavaro e shikon ndeshjen e parë të Italisë ndaj Shqipërisë në “Euro 2024”-ën si më të vështirën.

 “Unë mendoj gjithmonë që ndeshja e parë e një Botërori apo e një Evropiani është gjithmonë ajo më e ndërlikuara, sepse vihet nga një periudhë pune, skuadrat nuk dihen sesi janë dhe sigurisht që të luash ndaj një skuadre si e Shqipërisë nuk është e lehtë, sepse është një skuadër e re në moshë, e fortë, me një trajner të përgatitur dhe sigurisht për Italinë do të jetë një ndeshje mjaft e vështirë”.

Duke vlerësuar trajnerin Luçiano Spaleti, ish-futbollisti i Juventusit thekson se Italia duhet të synojë ta nisë mbarë Evropianin.

 “Unë mendoj gjithmonë se ndeshjet duhen fituar dhe në kohën e duhur, kjo duhet dëshmuar në fushën e lojës. Kjo skuadër e Italisë është një skuadër me një trajner të ri, me lojtarë që kanë përvoja të ndryshme. Spaleti është padyshim një trajner që ka përvojë të madhe në nivel ndërkombëtar, por ndeshja e parë do të jetë e vështirë, sepse ju e dini që në Itali humbet një ndeshje e pastaj bëhet dramë”.

Ish-futbollisti i përfaqësueses italiane e ka vlerësuar sidoqoftë lart Kombëtaren kuqezi.

 “Nuk ka nevojë të pyesësh njeri për Shqipërinë, mjafton të shohësh fushatën eliminatore që bëri përfaqësuesja juaj. Nuk bëhet fjalë për frikë këtu, sepse respekti është i madh, pasi Kombëtarja juaj ka lojtarë që luajnë të gjithë jashtë, kanë përvojë ndërkombëtare dhe shumë prej tyre luajnë në kampionatin italian dhe, në fazën finale të një turneu të tillë nuk të bën askush dhurata”.

Për ish-kampionin e botës në 2006-ën, asnjë kundërshtar nuk mund të nënvlerësohet.

 “Sigurisht, përse të mos ketë mundësi?! Në fushë shkojnë e luajnë futbollistët dhe jo historia. Luajnë skuadra që janë super të përgatitura dhe nuk ka sot një skuadër në botë, në këto nivele, që të mos jetë e përgatitur teknikisht dhe taktikisht, dhe, prandaj, pse duhet ta nënvlerësojmë Shqipërinë?!”

Në mbyllje, duke folur si një trajner, Kanavaro ka analizuar edhe përbërjen e Kombëtares kuqezi.

 “Unë kam patur lojtarë shqiptarë, kam patur Veselin kur drejtoja Beneventon. Mga kjo përfaqësuese më pëlqejnë disa, sepse keni shumë lojtarë që luajnë në Itali, janë dy qendërmbrojtësit shumë të mirë, por të gjithë e njohin kampionatin italian dhe po dalin në pah e po bëjnë një figurë shumë të mirë”.