RTSH Sport Live

Kantier ndërtimi në prag të Euro 2025 U-17, një tjetër fushë po ndërtohet në Shtëpinë e Futbollit

  • 3 orë para
  • |
  • Abissnet Superiore
Kantier ndërtimi në prag të Euro 2025 U-17, një tjetër fushë po ndërtohet në Shtëpinë e Futbollit

Federata e Futbollit, në kuadër të investimeve strategjike për përmirësimin e infrastrukturës sportive në vend, si dhe në kuadër të projektit “100 fushat”, ka nisur punimet për ndërtimin e një fushe të re në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”.

Kjo fushë e re me bar natyral do të shërbejë jo vetëm për Kampionatin Europian U-17 “Shqipëri 2025”, por edhe për stërvitje të ekipeve Kombëtare dhe turne të ndryshme të organizuara nga FSHF në vijim.

Punimet për fushën e tretë brenda ambienteve të “Shtëpisë së Futbollit” po vijojnë me ritme të larta dhe pritet të përfundojnë së shpejti.

Dy fushat me bar natyral në “Shtëpinë e Futbollit” do të përdoren për t’u përgatitur edhe nga ekipet finaliste të Kampionatit Europian U-17, një ngjarje historike që do të organizohet nga FSHF në bashkëpunim me UEFA-n nga data 19 maj deri më 1 qershor 2025.

Federata e Futbollit po punon për të përmbushur çdo kusht të vendosur nga UEFA, me synimin e vetëm për të organizuar Kampionatin Europian U-17 “Shqipëri 2025” në mënyrën më të mirë të mundshme.

Ky event do ta vendosë Shqipërinë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare për disa ditë me radhë, duke shërbyer si një mundësi e shkëlqyer për promovimin e vendit dhe futbollit shqiptar.