Anthony Taylor nuk do të gjykojë një ndeshje të Premier League këtë fundjavë. Kjo për arsye se ai u vu në shënjestër të kërcënimeve në internet pas ndeshjes së të shtunës së kaluar, atë ndërmjet Bournemouth dhe Chelsea. Taylor ishte njeriu që gjykoi sfidën e fituar 1-0 nga blutë e Londrës, pas golit të realizuar në fund nga Nkunku.
Por arbitri anglez u vu në qendër të vëmendjes pasi vuri një rekord kartonash të verdhë gjatë ndeshjes, plot 14 të tillë, plus dy të tjerë për stafet drejtuese të skuadrave. Që atëherë, ai ka qenë subjekt i abuzimeve të rënda në mediat sociale, madje disa prej tyre e kanë kërcënuar me vdekje Taylorin dhe familjen e tij.
Sipas The Mail, Premier League do të nisë një hetim për këto abuzime dhe kërcënime ndaj arbitrit Taylor, ndërkohë që ky i fundit ka mbështetjen e të gjitha organizmave të sportit. Ai gjithashtu është hequr nga lista e arbitrave kryesorë, që do të gjykojnë ndeshjet e kësaj fundjave në Premier League.
Por do të jetë si gjyqtar i katërt në ndeshjen Southampton-Ipswich të shtunën dhe të dielën në ndeshjen tjetër Brighton-Nottingham Forest. Taylor u bëri thirrje të gjithë përkrahësve të skuadrave që të tregojnë "më shumë empati" ndaj zyrtarëve të ndeshjes.