RTSH Sport Live

KOKSH, mirënjohje për Briken Caljen dhe Erkand Qerimajn

  • 18/01/2022
  • |
  • Sporte të tjera
KOKSH, mirënjohje për Briken Caljen dhe Erkand Qerimajn
Peshëngritësit e talentuar premtojnë që edhe Kampionati Europian do të flasë shqip

Briken Calja, Kampion Bote në stilin e shkëputjes dhe nënkampion Bote në stilin e shtytjes dhe në dygarësh, si dhe Erkand Qerimaj, vendi i katërt në Botërorin e Tashkentit në Peshëngritje, janë nderuar me Certifikatë Mirënjohje nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar. Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, por dhe vetë sportistët nuk i kanë quajtur të rastësishëm rezultatet.

Fidel Ylli: “Ka qenë një Botëror që pati rezultate të jashtëzakonshme si pasojë e një përgatitja të gjatë të këtyre dy peshëngritësve si dhe trajnerëve të tyre, por dhe me mbështetjen e Komitetit Olimpik”.

Briken Calja: “Ka qënë një vit i artë duke nisur nga Europiani, nga Lojërat Olimpike dhe qershia mbi tortë që ishte Botërori”.

Erkand Qerimaj: “Rezultati i arritur nuk ishte i rastësishëm, pasi dhe në Olimpiadë shkuam me kualifikim dhe morëm dy rezultate të rëndësishme: njëri në Top 5 dhe tjetri në Top 10”.

Por tanimë që projekti i sportit në shkolla po vihet në zbatim, a mundet të kemi një shtrirje të peshëngritjes në të gjithë vendin, apo në veçanti në ato qytete që e kanë traditë?

“Ky është një projeckt pilot dhe qeveria bashkë me Komitetin Olimpik mendoi, duke qënë se peshëngritja e mundja janë sporte specifike, menduam të krijojmë masivizimin”.

Sa është e mundur që klubet shumësportëshe të vijnë në ndihmë për një rritje cilësore të sportit të peshëngritjes, apo dhe të gjitha disiplinave të tjera?

“Ky projekt nuk lidhet me klubet shumësportëshe, lidhet direkt me Kryetarin e Bashkisë, sepse nuk mund të rrimë në dorë të një inspektori që nuk ka asnjë kompetencë”.

Tanimë modelet, të paktën edhe sipas presidentit të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, janë, sepse të rinjtë do të kërkojnë t’u ngjajnë Briken Caljes dhe Erkand Qerimajt. Dhe i pari i peshëngritjes shqiptare parashikon dhe perspektivën e shtangës në vendin tonë.

“Federata e Peshëngritjes ka një prespektivë të qartë tashmë, ku ne nuk kemi vetëm Brikenin dhe Erkandin, Shorjen, Godellin apo Velin, por kemi një ekip të rinjsh të talentuar”.

Kampionati Europian është në prag, kurse si Calja, ashtu dhe Qerimaj premtojnë medalje.

Briken Calja: “Unë kam premtuar dhe do të premtoj se Europiani do të flaës përsëri shqip”.

Erkand Qerimaj: “Është një vit i rëndësishëm pasi kemi Kampionatin Europian, Lojërat Mesdhetare, Kampionatin Botëror dhe ne pretendojmë që të futemi në treshe, në zonën e më të mirëve”.