RTSH Sport Live

Kombëtarja e vajzave nis përgatitjet për Nations League

  • 15/02/2025
  • |
  • Kombëtarja
Kombëtarja e vajzave nis përgatitjet për Nations League
Trajneri Grima shpall listën me 22 lojtare

Kombëtarja shqiptare e femrave do të nisë grumbullimin dhe përgatitjet zyrtare për dy ndeshjet e para të Nations League ndaj Ukrainës dhe Çekisë, të dielën e 16 shkurtit. Trajneri Armir Grima ka shpallur listën e futbollisteve të grumbulluara, duke ftuar 22 lojtare për këto dy përballje.

Në skuadër rikthehen Lavdije Begolli, Klea Hamonikaj, Ilarja Zarka dhe Jehona Coka, ndërsa një risi në listë është talentja Stacey Qosja, e cila merr ftesën e parë me ekipin kombëtar A. Pjesa tjetër e skuadrës përbëhet nga lojtare që kanë qenë më parë pjesë e përfaqësueses shqiptare.

Ekipi do të grumbullohet në Tiranë dhe do të nisë përgatitjet të dielën në “Shtëpinë e Futbollit”. Shqipëria do të përballet me Ukrainën më 21 shkurt në stadiumin “Niko Dovana”, me sfidën që do të nisë në orën 18:00. Ndërkohë, më 25 shkurt, vajzat kuqezi do të luajnë në transfertë ndaj Çekisë, me ndeshjen e planifikuar për t’u zhvilluar në orën 17:30.