RTSH Sport Live

Kombëtarja mbyll përgatitjet, mungojnë Delija e Metalla

  • 6 orë para
  • |
  • Kombëtarja
Kombëtarja mbyll përgatitjet, mungojnë Delija e Metalla
Ekipi i drejtuar nga trajneri Grima zhvilloi seancën e fundit stërvitore në “Loro Boriçi” ku do të luhet ndeshja

Shqipëria e femrave mbylli pasditen e së enjtes përgatitjet për ndeshjen e parë ndaj Norvegjisë, që do të luhet të premten në ora 16:00 në stadiumin ‘Loro Boriçi’.

Ekipi i drejtuar nga trajneri Armir Grima zhvilloi seancën e fundit stërvitore në stadiumin ku do të luhet ndeshja. Një seancë që nisi fillimisht me ushtrime argëtuese dhe shkrysëse për skuadrën dhe më pas trajneri Grima dhe stafi provuan vendosje të ndryshme të ekipit në fushë.

Sa i përket ekipit, Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se futbollistet Eriola Delija dhe Mikaela Metalla nuk u stërvitën me ekipin. Stafi mjekësor i ekipit gjykoi që Delija të qëndrojë në hotel për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore.

Sa i përket Metallës, mesfushorja nuk u stërvit për shkak të një shqetësimi në kofshën e majtë.

Shqipëria do të luajë të premten në ‘Loro Boriçi’ në ora 16:00 ndeshjen e parë ndaj Norvegjisë, e vlefshme për raundin e parë të playoff-it të Kampionatit Europian ‘Zvicër 2025’. Më 29 tetor, kuqezezat do të luajnë takimin e dytë ndaj norvegjezëve në Oslo.