Kombëtarja kuqezi e Nën-16-vjeçarëve, e cila prej disa ditësh pati nisur grumbullimin në kuadër të dy ndeshjeve miqësore të luksit kundër bashkëmoshatarëve të Italisë, e luan të enjten paradite ndeshjen e dytë. Në fakt, kuqezinjtë e vegjël, të drejtuar nga trajneri Agron Kërçova, e kanë zhvilluar të martën takimin e parë në shtetin fqinj, duke e humbur atë me shifrat 3-0. Në miqësoren e luajtur në fushën e Kompleksit të famshëm të Koverçanos, kuqezinjtë e kanë gjetur veten në disavantazh pas vetëm 4 minutash lojë, kur Kristian Komoto ka shënuar për italianët.
Loja do të flasë për përfaqësuesen vendase edhe në vijim, por ka qenë gardiani i portës kuqezi, Kolgecaj, ai që ka spikatur për Kombëtaren shqiptare. Sidoqoftë, ai do të mposhtet sërish 6 minuta para fundit të pjesës së parë, kur Samuele Injacio do të gjejë golin e dytë të “axurrëve”. Me këtë epërsi të dyfishtë të Italisë do të mbyllet pjesa e parë, ndërsa në të dytën, skuadra vendase do të gjejë edhe një gol të 3-të me anë të Vinçenco Damianos, i cili realizon në minutën e 65-të.
U mbyll kështu me fitoren 3-0 të Italisë kjo miqësore e parë kundër Shqipërisë, ndërsa më 26 janar, duke nisur nga ora 10:30, dy përfaqësueset e Nën-16-vjeçarëve do të jenë sërish përballë njëra-tjetrës në miqësoren e dytë në Koverçano. Në takimin e parë, Kërçova aktivizoi 16 nga 23 lojtarët e grumbulluar, ndërsa në takimin e dytë, ai pritet t’u japë hapësirë dhe minutave edhe lojtarëve të tjerë. Duhet theksuar se pjesa dërrmuese e lojtarëve të grumbulluar për këto dy miqësore janë kryesisht nga kampionati shqiptar i kësaj grupmoshe, por edhe të ardhur nga Italia dhe Gjermania.