Kombëtarja shqiptare U-17 fitoi sot ndeshjen e parë miqësore ndaj Polonisë në “Shtëpinë e Futbollit”. Kuqezinjtë triumfuan 3-2, në një takim spektakolar që u vendos nga golat e Gabriel Kullës (dopietë) dhe Serxho Vogli.
Trajneri Andrea Tedesco e nisi me këtë formacion titullar ndeshjen ndaj Polonisë U-17: Raffaele Huli (GK), Darli Kurti, Kris Gecaj (C), Andreas Llana, Lucas Cekrezi, Fabjano Nuhaj, Rikardo Sheji, Ernesto Marqeshi, Gariel Kulla, Alen Vukaj dhe Arman Durmisi.
Në “Shtëpinë e Futbollit” u zhvillua një ndeshje e luftuar dhe në pjesën e parë u shënua vetëm një gol në fund. Polonia mori avantazhin me Jakub Kaczoëka.
Në fraksionin e dytë kuqezinjtë ishin spektakolarë. Shqipëria barazoi rezultatin në minutën e 53-të me Gabriel Kullën. Sulmuesi kuqezi realizoi një supergol nga goditja e dënimit.
Polonia mori sërish avantazhin në të 56-ën, megjithatë Kulla ishte i pandalshëm dhe barazoi takimin në minutën e 66-të. Sulmuesi bëri gjithçka mirë brenda zonës dhe me një goditje të bukur shënoi golin e dytë personal.
Shqipëria përmbysi gjithçka në minutën e 79-të me Serxho Voglin. Mesfushori kuqezi vulosi fitoren spektakolare të Shqipërisë me një gol me kokë nga brenda zonës.
Në fund sfida u mbyll me fitoren e Shqipërisë U-17 me rezultatin 3-2. Takimi i dytë miqësor Shqipëri U17 – Poloni U17, do të luhet tre ditë më pas më 18 nëntor në orën 10:00, në “Shtëpinë e Futbollit”
Takime miqësore janë shumë të vlefshme për ekipin kombëtar U-17 dhe për stafin kuqezi për të testuar sa më shumë lojtarë të rinj dhe për të ndërtuar grupin që do të përfaqësojë Shqipërinë në finalet e Kampionatit Europian “Shqipëri 2025”.