Kompleksi i klubit Partizani është një vepër gjigande infrastrukturore që po merr dita ditës dhe shumë shpejt do të jetë gati për të pritur futbollistët. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, së bashku me Presidentin e Partizanit, Gazment Demi, kanë inspektuar punimet që po vijojnë me ritme shumë të shpejta. Kompleksi i ri i klubit, që po ndërtohet në zonën e Tufinës, do të ketë të gjitha lehtësitë e duhura për një klub futbolli duke filluar që nga stadiumi, fushat stërvitore, hoteli akomodues, palestrat, ambientet ndihmëse, parking, muzeu i klubit dhe shumë funksione të tjera, të cilat do të përbëjnë një vlerë të shtuar për futbollin shqiptar.
Një kontribut financiar për ndërtimin e këtij projekti ka dhënë edhe Federata Shqiptare e Futbollit, që përfshin fushën e stadiumit, sistemin e ndriçimit dhe ndenjëset për tribunat, apo pankinat. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, u shfaq i surprizuar nga projekti madhor dhe vlerësoi investimin e familjes Demi, një vepër që do t’i shërbejë edhe fëmijëve.
“Jo vetëm unë, por çdo njeri që do të vinte, do të ndihej vërtetë i surprizuar nga i gjithë kompleksi që po ndërtohet këtu në klubin Partizani. Mund të kem parë në gazeta apo lexuar në media, që Partizani po bën diçka, por nuk mund ta besoja që është një projekt kaq i madh: me një stadium të kompletuar që plotëson të gjitha parametrat, me një hotel për ekipin. Projekti përfundimtarë parashikon fusha stërvitja për të gjitha ekipet e moshave, gjë që do ti shërbejë shumë kryesisht fëmijëve të Tiranës”, ka deklaruar Duka.
Presidenti i Partizanit, Gazment Demi, shprehu kënaqësinë që pas një periudhe të vështirë më në fund edhe klubi i futbollit i të kuqve do të ketë një kompleks dinjitoz, që është një vlerë e shtuar për të gjithë qytetin e Tiranës.
“Është një investim që do u ngeli brezave. Jemi lodhur shumë gjithë këto vite, të gjithë e dinë se si e kemi marrë Partizanin. Me vështirësi, me vonesa ndoshta shumë, ka ardhur koha që të jemi drejt përfundimit”, ka përfunduar presidenti i të kuqve, Gazment Demi.