RTSH Sport Live

Kosova U15 fiton miqësoren e parë

  • 16/06/2022
  • |
  • Kombëtarja
Kosova U15 fiton miqësoren e parë
Akti i dytë luhet të shtunën në “Kukës Arena”, kuqezinjtë kërkojnë revansh

Shqipëria dhe Kosova, kjo për moshën deri në 15 vjeç, kanë luajtur të enjten miqësoren e tyre të parë të planifikuar për muajin qershor. Gjithçka ka ndodhur në stadiumin e Kukësit, që për një javë do të jetë arena e dueleve të kuqezinjve të moshave të ndryshme me Kosovën. Një ndeshje, që ka ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar, ndërsa Kosova ka fituar 2-1.

 Kuqezinjtë, e drejtuar nga Armand Dama, kanë kaluar të parët në avantazh. Pikërisht në të 15’ Blini ka kthyer në gol krosimin e Marqeshit. Zgjohet Kosova, e cila në të 27’ barazon me anë të Ahmetit. Pjesa e dytë nis me sulm për miqtë, të cilët në të 37’ kanë fituar penallti, që e ka kthyer në gol Ramiqi. Shumë zëvendësime në të dy skuadrat, ndërsa Shqipëria bën përpjekje për të barazuar rezultatin.

Por në fund 2-1 për Kosovën. Miqësorja e dytë do të luhet të shtunën në ora 17:30 përsëri në Kukës dhe do të vijë drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar pikërisht në kanalin RTSH Sport.