RTSH Sport Live

Kukësi, i braktisur edhe nga shpresa

  • 20/04/2024
  • |
  • Abissnet Superiore
Kukësi, i braktisur edhe nga shpresa
Skuadra e Devollit s’ka shanse mbijetese, pret vetëm konfirmimin aritmetik

Tri humbje e një barazim në katër ndeshjet e fundit i kanë hequr Kukësit shansin e mbijetesës në Kategorinë Superiore. Teuta e vendit të tetë është 11 pikë larg, me një ndeshje më pak, dhe i mjaftojnë dy pikë që të bëhet e paarritshme nga Kukësi.

Kukësi përjetoi ditë entuziazmi pas dy fitoreve radhazi në mars, kundër Vllaznisë e Laçit, që i rilindën shpresat se mund të mbijetonin në Kategorinë Superiore, edhe pse ende mbanin fundin e renditjes. Por katër ndeshjet e mëpasme, në të cilat kanë marrë vetëm një pikë, ishin si zgjimi me shije të hidhur pas një ëndrre të bukur. Humbja e fundit, kundër Skënderbeut, i lë shanse vetëm minimale për mbijetesë, por tani edhe kuksiani më optimist zor se beson që skuadra e tij mund të qëndrojë prapë në Superiore.

Pas 32 ndeshjeve, Kukësi ka vetëm 26 pikë, 11 pikë më pak se Teuta që mban vendin e tetë, i cili të çon në play-off. Durrsakëve, që kanë edhe një ndeshje më tepër për të luajtur, iu mjaftojnë dy pikë, nëse Kukësi i fiton të katër ndeshjet që i kanë mbetur, ose edhe një e vetme nëse e merr në takimin direkt midis tyre, që luhet javën e ardhshme.

E gjitha kjo pa llogaritur që midis tyre është edhe Erzeni, me pesë pikë më tepër se Kukësi. Në këto kushte, skuadra e Bledar Devollit është një e rënë nga kategoria që pret vetëm konfirmimin zyrtar dhe dalja e mundshme në finalen e Kupës së Shqipërisë vështirë se mund të jetë ngushëlluese.