RTSH Sport Live

Kukësi shtang Partizanin në kryeqytet

  • 05/03/2024
  • |
  • Futboll Vendi
Kukësi shtang Partizanin në kryeqytet
Fiton 1-0 në ndeshjen e kthimit dhe triumfon nga pika e bardhë

Ishte cilësuar si një përballje e njëjtë me atë Davidit me Goliasin, por ashtu siç ndodhi në mitologji, Kukësi ka dhuruar të papriturën më të madhe të këtij turi në Kupën e Shqipërisë, teksa ka eliminuar Partizanin në çerekfinale, edhe pse kishte humbur ndeshjen e parë në fushën e vet.

Ndonëse mban vendin e fundit të renditjes dhe vetëm matematika e mban ende gjallë sa i përket shpresave për të mbijetuar në Kategorinë Superiore, skuadra e drejtuar nga trajneri Bledar Devolli ka luajtur si e barabartë, duke e besuar deri në fund.

Pakkush kishte llogaritur verilindorët si pretendentë për kualifikimin pas humbjes në ndeshjen e parë me shifrat 1-0. Por ata ia dolën të godasin me një gol të shkëlqyer në kryeqytet dhe pastaj u mbrojtën me rregull duke bërë që ndeshja të shkonte me shtesa dhe më pas me 11-metërsh. Golin e vetëm të sfidës u shënua në minutën e 21-të nga Hasaj, i cili finalizoi mjeshtërisht.

Me epërsinë minimale të Kukësit u mbyllën 45 minutat e para, ndërsa ato të dytat nuk prodhuan gol tjetër, ashtu sikundër ndodhi edhe me dy pjesët shtesë nga 15 minuta secila, kështu që skuadrat iu drejtuan goditjeve të 11-metërshve. Aty peshoi goditja e gabuar e Atanaskoskit, i cili u neutralizua nga Tafasi, ndërsa lojtarët e Kukësit shënuan të 5 tentativat e tyre, duke siguruar biletën për gjysmëfinalet e Kupës.