RTSH Sport Live

Kupa e Shqipërisë, katër ekipe në garë për finalen

  • 12/04/2022
  • |
  • Futboll Vendi
Kupa e Shqipërisë, katër ekipe në garë për finalen
Vllaznia-Partizani, dueli më i balancuar, Laçi shumë pranë sfidës së fundit

Kupa e Shqipërisë luan këtë sezon një edicion jubilar dhe si i tillë, ky kompeticion merr edhe më shumë rëndësi e peshë. Trofe që më shumë se vlera simbolike është jetik për faktin se hap portën e madhe europiane dhe të paktën tre skuadra të mbetura në garë kanë nevojë jetike për ta fituar. Vllaznia dhe Partizani do të luajnë të mërkurën aktin e dytë të gjysmëfinales pas 90 minutëshit të parë që vazhdon të jehojë nëpërmjet polemikave të shkaktuara pas atij goli të anulluar në dëm të shkodranëve. Aralica nuk festoi gjatë pasi kryesori i konsultuar me sistemin VAR anuloi rrjetën e shkodranëve dhe në këtë mënyrë, ndeshja e kthimit rinis nga pika zero.

Askush nuk e ka luksin të gabojë në këtë përballje që mbetet e paparashikueshme. Skuadrat në kampionat kanë vetëm 1 pikë diferencë ndërsa humori është i ndryshëm në Shkodër dhe në kryeqytet, pasi Partizani ka arritur të bëjë paraqitje pozitive edhe në kampionat, duke u ngjitur në vendin e katërt, pikërisht në kurriz të kuqebluve. Në 5 ndeshjet e fundit Vllaznia nuk njeh fitore ndërsa klubi u ka bërë thirrje tifozëve që të jenë sa më të shumtë në “Loro Boriçi”.

Vllaznia 7 herë fituese dhe 8 herë finaliste kërkon të ripërsërisë suksesin e sezonit të kaluar ndërsa Partizani nuk e fiton Kupën që prej 18 vitesh dhe rikthimi në një finale do të ishte dhurata më e bukur për tifozët e kuq. Futbolli shqiptar merr peshë edhe në Kurbin ku Laçi synon të ruajë avantazhin ndaj Teutës për të siguruar finalen e katërt të historisë. Kurbinasit që këtë trofe e kanë fituar për herë të fundit 8 vite më parë, mbeten favoritë në përballjen me “Djemtë e detit”, të cilët numërojnë 4 trofe dhe 6 finale të humbura.