RTSH Sport Live

Kupa e Shqipërisë, luhen të parat e gjysmëfinaleve

  • 08/02/2023
  • |
  • Sporte të tjera
Kupa e Shqipërisë, luhen të parat e gjysmëfinaleve
Partizani fiton në 5 sete derbin me Tiranën, Skënderbeu mund 3-0 Vllazninë në Shkodër

Pas përfundimit të fazës së grupeve, kanë nisur ndeshjet e 4-shes finale të Kupës së Shqipërisë në volejboll. Dhe të martën në mbrëmje kanë zbritur në parket femrat, të cilat kanë luajtur ndeshjet e para të gjysmënaleve, teksa përballjet e kthimit luhen pas një jave.

Në takimin e zhvilluar në Shkodër, “kampionia në fuqi, Skënderbeu, fitoi 3-0 ndaj Vllaznisë. Ishte një ndeshje e mbizotëruar nga vajzat korçare, që patën epërsi të ndjeshme në të trija setet, duke i fituar ato përkatësisht me shifrat 25-15, 25-15 dhe 25-14.

Vllaznia ishte e pafuqishme për të rivalizuar dhe korçaret janë tashmë me njërën këmbë në finnale. Më e bukur ishte përballja tjetër e gjysmënaleve, aty ku Partizani fitoi 3-2 në derbin ndaj Tiranës, të luajtur në Sallën Sportive “Fahrie Hoti”. Partizani i fitoi dy setet e para, përkatësisht 25-23 dhe 25-15, duke krijuar idenë e një triumfi të lehtë.

Por më pas erdhi reagimi i vajzave bardheblu, që i fituan dy setet e tjera, përkatësisht 25-18 dhe 29-27 dhe gjithçka u vendos në setin 5-të dhe final, të mbizotëruar nga të kuqet e kryeqytetit, që e fituan atë me shifrat 15-7 dhe gjithë ndeshjen 3-2.