Veprimtaria e dytë e futbollit në vend, Kupa e Shqipërisë, ka luajtur të mërkurën ndeshjet e turit të 3-të të saj, teksa në fushë kanë zbritur 16 skuadra, duke përcaktuar edhe 8 prej tyre që kalojnë më tej në turin tjetër. Siç dihet formula e këtij viti favorizon skuadrat që u renditën në 8 vendet e para të Kategorisë Superiore sezonin e shkuar, të cilat futen në lojë në turin e 4-t, apo thënë ndryshe në turin e 16-shes.
Kështu ishin dy skuadrat që militojnë këtë sezon në Kategorinë Superiore, por sezonin e shkuar ishin në Kategorinë e Parë, dhe Skënderbeu mundi 4-0 Turbinën, ndërsa Dinamo u mjaftua me dy gola në Arbanë kundër Orikut për të kaluar më tej.
Elbasani mundi me jo pak vuajtje Kastriotin në Fushë-Krujë, me rezultatin 2-3, ndërsa Flamurtari triumfoi në shtëpi përballë Burrelit me shifrat 2-0. Tomori u eliminua në shtëpi nga Lushnja me rezultatin 3-0, ndërsa Apolonia kaloi më tej duke mposhtur Luzin 2-1.
Dy përballjet e tjera, Korabi-Besa dhe Bylis-Vora shkuan me shtesë,me të dyja sfidat që u mbyllën 2-2 në 90 minutat e rregullta.
Madje, si në Ballsh, ashtu edhe në Peshkopi, janë kërkuar 11-metërshat për të vendosur fituesen, aty ku Bylisi ka ngadhënjyer 3-2, duke u kualifikuar për më tej, ashtu sikundër edhe Korabi ka triumfuar me shifrat 5-4.