Në fundjavë do të nisë edicioni i ri i Kategorisë së Parë. Një sezon i mbushur me emocione, pasi sfidat më interesante do të vinë drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. Disa skuadra pothuajse e kanë mbyllur merkaton, ndërsa disa të tjerë janë në emergjencë, për shkak buxheti.
Sipas faqes së specializuar Transfermarkt, Flamurtari është ekipi më i shtrenjtë i këtij sezoni dhe vlen 2.62 milionë euro, ndërsa ekipi me vlerën më të vogël është Valbona. Dy skuadrat kanë gjithashtu moshën më të madhe të lojtarëve që shkon në 26.6 mesatarja.
Një tjetër ekip që ka bërë një merkato cilësore është Besa. 34 lojtarë ka në përbërje aktualisht Mirel Josa, një shifër shumë e madhe që mund të minimizohet në ditët në vazhdim, por Besa mban një tjetër rekord, atë të numrit të lojtarëve të huaj me 16 të tillë, ndërsa Valbona, ekipi tropojan nuk ka afruar asnjë lojtar të huaj.
Apolonia vazhdon politikën e saj, duke i besuar akademisë së klubit fierak, por gjithashtu duke gjurmuar edhe elementë të talentuar, jo më kot klubi ka moshën mesatare më të vogël me 21.2.