RTSH Sport Live

Laçi e Bylisi ringjallin garën

  • 15 orë para
  • |
  • Abissnet Superiore
Laçi e Bylisi ringjallin garën
Pas fitoreve, nuk ka më skuadra të dënuara për të rënë, ndikojnë edhe për katërshen

Laçi dhe Bylis kanë ringjallur shpresat me rezultatet e fundit, duke mos qenë më dy skuadrat e dënuara për të rënë nga kategoria. Kanë rihapur jo vetëm garën për mbijetesë, por edhe atë për katërshen e titullit.

Laçi dhe Bylis kanë ringjallur kampionatin. Mund të duket si një shprehje e ekzagjeruar për dy skuadrat që mbajnë dy vendet e fundit në renditje e janë më të rrezikuarat deri tani për të rënë në Kategorinë e Parë, por është e vërtetë. Tri javë më parë dukeshin dy skuadra të dënuara për të rënë, të cilat vetëm matematika i mbante gjallë. Por rezultatet e fundit kanë ndryshuar gjithçka.

Laçi ka marrë dy fitore e një barazim nën drejtimin e trajnerit Francesco Moriero. Bylis ka një fitore e një barazim në dy ndeshjet e fundit, nën drejtimin e Nevil Dedes. Janë ende dy skuadrat e fundit të renditjes, por kufiri i zonës së ftohtë tashmë është plotësisht i kapërcyeshëm.

Me rezultatet e fundit, të dyja skuadrat jo vetëm që kanë ringjallur shpresat e tyre për të mbijetuar, por kanë rindezur edhe garën e kampionatit, e jo thjesht për mbijetesën, por edhe për katërshen finale.

 Laçi ka mundur Vllazninë dhe Egnatian kampione, duke e nxjerrë këtë të fundit nga katërshja, ndërsa Bylis shpartalloi Teutën dhe barazoi me Dinamon, edhe këto dy pretente për të qenë midis katër të parave në fund.

Një skuadër që ka shpresë është më e vendosur për të luftuar dhe prova është në rezultatet e arritura. Për momentin kampionati është i ndezur dhe askush nuk mund të flasë për pikë të sigurta nisur nga kundërshtari përballë.